Michael Hernandez
06 Qershor 2019•Përditësim: 06 Qershor 2019
Inteligjenca e SHBA-së ka treguar se Arabia Saudite ka përmirësuar ndjeshëm programin e raketave balistike me ndihmën e Kinës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zhvillimi është në kundërshtim politikën disadekadëshe të SHBA-së të orientuar drejt dominimit në zhvillimin e raketave në rajon, për shkak të frikës se përhapja e tyre mund të nxisë një garë armësh në rajonin e paqëndrueshëm.
Administrata e presidentit Donald Trump nuk ua ka zbuluar informacionin e inteligjencës ligjvënësve kryesorë, duke i zemëruar demokratët, raportoi CNN, duke cituar tre persona anonimë të njohur me inteligjencën.
Megjithatë, demokratët kanë mësuar informacionin në fjalë "jashtë kanaleve të rregullta të qeverisë amerikane dhe përfunduan se ishte lënë qëllimisht jashtë brifingeve ku thonë se duhej të ishte paraqitur", tha CNN duke cituar burimet.
Vlerësimi tregon se Rijadi ka zgjeruar në masë të madhe aftësitë e saj të raketave balistike, duke përfshirë infrastrukturën dhe teknologjinë, nëpërmjet blerjeve të armëve nga Kina, thuhet në raportimin e televizionit amerikan.
Kjo është vetëm një çështje që lidhet me trajtimin e administratës së Arabisë Saudite që është mbajtur jashtë syrit publik dhe jashtë fushës së Kongresit nga Shtëpia e Bardhë.
Sipas lajmit, kjo është një nga çështjet që lidhet me trajtimin e Arabisë Saudite nga ana e administratës amerikane që është lënë jashtë syrit të opinionit dhe jashtë fushës së interesit të Kongresit.
Senatori Tim Kaine tha të martën se administrata Trump ka autorizuar kompanitë amerikane të ndajnë teknologjinë bërthamore me Arabinë Saudite pak pas vrasjes së gazetarit të Washington Post Jamal Khashoggi.
Sipas Kaine, autorizimet janë pjesë e shtatë të tillave të dhëna nga Trump që nga viti 2017, pasi Arabia Saudite po punon drejt zhvillimit të dy reaktorëve të saj të parë bërthamorë.
Shumë qarqe në Washington kanë shprehur shqetësime se ndarja e teknologjisë bërthamore me Rijadin mund të shkaktojë një garë armësh në Lindjen e Mesme.
Tensionet midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit mbi Arabinë Saudite kanë qenë në rritje në muajt e fundit dhe arritën zenitin pas vendimit të Trumpit në maj për të shpallur gjendje të emergjencës së sigurisë kombëtare për t'i shitur miliarda dollarë armatim Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe pa miratimin e Kongresit.
Shitjet ishin bllokuar nga Kongresi që nga viti 2018.
Ligjvënësit kanë ngritur shqetësime në lidhje me fushatën e bombardimeve të udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen, e cila ka shkaktuar vdekjen e një numri të madh civilësh, si dhe në lidhje me vrasjen e gazetarit Khashoggi.
Por Trump i ka shpërfillur këto shqetësime, duke mbështetur publikisht mohimet e mbretërsië për përgjegjësinë e princit Mohammed bin Salman në vrasjen e Khashoggit dhe duke vënë veto ndaj një rezolute të Kongresit e cila do t'i jepte fund mbështetjes së SHBA-së për fushatën saudite në Jemen.
Arabia Saudite, megjithatë, e ka të ndaluar të blejë teknologjinë e raketave balistike nga SHBA sipas Regjimit të Kontrollit të Teknologjisë së Raketave të vitit 1987, që është një pakt joformal midis 35 shteteve, duke përfshirë edhe SHBA-në, me qëllim kufizimin e përhapjes së këtyre teknologjive.
Kina nuk është nënshkruese e marrëveshjes.