Hacer Başer
22 Tetor 2017•Përditësim: 22 Tetor 2017
ERBIL (AA) – Administrata Rajonale Kurde në veri të Irakut (ARK) mirëpret thirrjen e SHBA-ve për ndaljen e përleshjeve mes forcave të Irakut dhe atyre Peshmerga, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga ARK thuhet se janë të gatshëm për të mbështetur një armpushim të ndërmjetësuar nga një koalicion, ku përfshihet edhe koalicioni ndërkombëtar nën kryesimin e SHBA-ve.
Në deklaratë ku ritheksohet thirrja e ARK-së për nisjen e një dialogu “në kornizën kushtetuese dhe në një kohë sa më të afërt” me qeverinë e Bagdadit, thuhet se nuk duhet të ketë parakushte për dialogun në fjalë.
Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert ka thënë se “SHBA-të janë të brengosura nga lajmet se përreth Kirkukut kanë ndodhur incidente të dhunshme”. Ajo u ka bërë thirrje të gjitha palëve që t’i japin fund veprimeve provokative dhe të dhunshme.
Përleshjet e dhunshme mes forcave Peshmerga dhe forcave irakiane të sigurisë filluan pasi që ky i fundit kishte marrë nën kontroll rajonin Altunkopru, në veri të Kirkukut. Pas përleshjeve ku në mënyrë reciproke u përdor artileria dhe raketat kaqusha, forcat Peshmerga u tërhoqën në kufirin provincial të Erbilit.