Khalilur Rahman Salahshoor,Mustafa Melih Ahıshalı
02 Janar 2018•Përditësim: 02 Janar 2018
STAMBOLL (AA) – Lideri fetar i Iranit Ali Hamanej thotë se “Armiqtë e Iranit duan që t’i nxjerrin probleme shtetit të Iranit dhe organeve të sigurisë, duke përdorur mjetet si paraja, armët dhe politikën”, raporton Anadolu Agency (AA).
Hamanej, i cili në kryeqytetin e Iranit, Teheran, u takua me familjet e dëshmorëve, për herë të parë foli për protestat e organizuara në vend që nga dita e enjte.
“Armiqtë e Iranit duan që t’i nxjerrin probleme shtetit të Iranit dhe organeve të sigurisë duke përdorur mjetet si paraja, armët dhe politikën”, thekson Hamanej, duke pretenduar se "armiku mund të kapërcehet me guximin, sakrificën dhe besimin e popullit".
Ai tha se më vonë do të mbajë një fjalim, duke iu drejtuar popullit për këtë çështje. “Gjendja në disa shtete të rajonit, duke filluar nga Azia Perëndimore dhe Afrika Veriore është e mjerueshme. Po qe se Baathistët do të arrinin të hynin në tokat tona gjatë luftës së Irakut, nuk do të kishin pasur mëshirë për asgjë, gjendja në Iran do të bëhej me e keqe se gjendja e sotme në Libi dhe Siri”, shtoi Hamanej.
Ndryshe, protestat në Iran filluan më 28 dhjetor, pasi një grup u mblodh në qytetin Meshhed për të protestuar kundër kostos së lartë të jetesës, papunësisë dhe korrupsionit. Në një kohë të shkurtër protestat u shndërruan në demonstrata kundër regjimit dhe u përhapën në shumë qytete të Iranit, si Teheran, Kermanshah, Senendeç, Zenxahn, Shiraz, Kum, Ahvaz, Zahidan, Erak dhe Hurrem Abad.
Në protestat e deritashme në gjithë shtetin kanë humbur jetën të paktën 23 persona, kurse më shumë se 500 të tjerë janë arrestuar.