Faisal Mahmud, Saadet Gökce
12 tetor 2026•Përditësim: 12 tetor 2026
Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong dënoi sot sulmet e Huthive ndaj Arabisë Saudite, përfshirë sulmet në aeroportin e Riadit, transmeton Anadolu.
“Sulmet e Huthive ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile janë të papranueshme dhe duhet të ndalen”, tha ajo në kompaninë amerikane të mediave sociale X. Wong shtoi se Departamenti i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë po monitoron "nga afër" situatën në Lindjen e Mesme.
Këshillimi i udhëtimit për aeroportin ndërkombëtar "Mbreti Khalid" u përditësua në "mos udhëtoni", tha ajo. Kanberra vazhdon të këshillojë australianët që të "rishqyrtojnë nevojën e tyre" për të udhëtuar në Arabinë Saudite, shtoi ajo.
Ambasada australiane në Riad këshilloi australianët në kryeqytetin saudit të dielën që të strehohen në vend, të qëndrojnë brenda dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve lokale dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme, sipas transmetuesit australian ABC News.
Paralajmërimi pasoi një seri sulmesh nga Huthit në aeroportin e Riadit, të cilat i detyruan autoritetet të pezullojnë fluturimet dhe të devijojnë avionët. Një person u vra dhe 11 të tjerë u plagosën në një sulm në aeroport, tha autoriteti i aviacionit civil të vendit të hënën herët.
Në një sulm të mëparshëm në të njëjtin aeroport, 12 persona u vranë dhe më shumë se 300 të tjerë u plagosën.