Ali H. M.Abo Rezeg
18 Nëntor 2017•Përditësim: 19 Nëntor 2017
KAJRO (AA) – Autoritetet e Egjiptit kanë rihapur të shtunën vendkalimin kufitar me Rripin e Gazës, që është hera parë prej kur kontrollin mbi kufirin e mori Autoriteti Palestinez (AP), pasi në fillim të këtij muaji, Hamasi u tërhoq duke i lënë kufirin Autoritetit Palestinez, raporton Anadolu Agency (AA).
Terminali do të qëndrojë i hapur për tre ditë në të dyja drejtimet, thonë mediat palestineze. Hamasi, i cili që nga viti 2007 ka qeverisur Rripin e Gazës, dorëzoi kontrollin e kalimit kufitar, duke bërë hapin e parë në vazhdën e procesit të pajtimit të sponsorizuar nga Egjipti, i cili synon t'i japë fund ndasive një dekadëshe mes grupeve rivale Hamas dhe Fatah.
Punonjësit që i përkasin Autoritetit Palestinez, për herë të parë pas dhjetë vitesh kanë marrë kontrollin e kufirit dhe drejtojnë punën administrative të tij. Ndërkohë, përmes një deklarate është prononcuar edhe Ministria e Brendshme e cila drejtohet nga Hamasi, ku thuhet se forcat e lëvizjes kujdesen për sigurinë e udhëtarëve përgjatë kalimit kufitar, për të shtuar se rreth 16.000 palestinezë janë regjistruar për të kaluar përtej kufirit.
Paraprakisht të enjten, Ambasada e Palestinës në Kajro njoftoi se kufiri do të qëndrojë i hapur për tre ditë për të lejuar kalimin në të dyja anët e kufirit. Kalimi kufitar në Rafah lidh Rripin e Gazës me Egjiptin, më konkretisht me Gadishullin e Sinait, dhe që nga viti 2013 ka qëndruar pothuajse i tëri i mbyllur.