Halit Süleyman,Selen Temizer
01 Dhjetor 2016•Përditësim: 01 Dhjetor 2016
HALEP (AA) – Mijëra banorë të Halepit që po largohen nga sulmet e regjimit të Bashar al Asadit dhe milicëve shiitë të mbështetur nga Irani, po migrojnë në lagjet e kontrolluara nga opozita në jug të qytetit, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtari i mbrojtjes civile në Halep, Babiris Meshal tha në deklaratën për gazetarin e AA-së se “Në tri ditët e fundit, më shumë se 50 mijë civilë migruan në lagjet Tarik el Bab, Shear, Xhezmetli, Mujesser, Halepi i Vjetër, Bustan el Kasr, Sejf el Devle, Selahaddin dhe Sukkeri, të cilat ndodhen nën kontrollin e opozitarëve dhe të cilat janë bombarduar intensivisht.
Duke theksuar se migrimi ende është duke vazhduar, Meshal tha se njerëzit po e kryejnë këtë migrim duke ecur rrugëve të shkatërruara dhe duke përdorur biçikleta, karroca kuajsh dhe karroca për invalidë.
Meshal tha se banorët e Halepit po jetojnë të rrethuar që nga 4 shtatori. “Halepi prej 98 ditësh po jeton i privuar nga produktet themelore ushqimore dhe nga lëndët djegëse. Të shtunën e kaluar kishte vetëm tri furra që ofronin shërbime. Megjithatë, ato furra prej pesë ditësh nuk po punojnë për shkak të sulmeve ajrore dhe mungesës së miellit”, u shpreh Meshal.
Pas takimit të Grupit të Punës për Qasjen Humanitare të Grupit ndërkombëtar mbështetës të Sirisë, përfaqësuesi i Posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura dhe këshilltari i Posaçëm Jan Egeland, kanë mbajtur një konferencë për media në zyrën e OKB-së në Gjenevë.
De Mistura tha se "Në qytetin Halep të Sirisë janë zhvendosur 400 mijë njerëz. Numri i personave të zhvendosur nga Halepi ndoshta është i barabartë me numrin e plotë të refugjatëve sirianë në Evropë ndoshta edhe më shumë se ajo shifër".
Ai tha se për shkak të konflikteve intensive që vazhdojnë në lindje të Halepit në ditët e fundit janë zhvendosur 30 mijë njerëz. De Mistura tha se "për përgatijet dimërore të 400 mijë personave të zhvendosur në total nga Halepi ka nevojë për ndihma humanitare dhe për vendstrehime".
Ndërsa Egeland theksoi se regjimi i Sirisë dhe Rusia duhet të ndërpresin konfliktet në Halep duke vënë në dukje se nuk është lejuar që OKB-ja të evakuojë 400 të palgosur nga rajoni dhe se Rusia dëshiron të formojë 4 korridore për ndihma humanitare në Halep.
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Ban Ki-mun në një deklaratë në muajin shtator kishte thënë se që nga 7 korriku në Halep nuk ka hyrë asnjë autokolonë e OKB-së.
Regjimi ka miratuar ndihmat që OKB dëshiron t’i dërgojë në zonat që janë nën bllokadë, megjithatë Halepin e mban të përjashtuar.
Ndërkaq, Zv/Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe kryetar i Zyrës për Koordinimin e Ndihmave Humanitare, Stephen O’Brien, në deklaratën që bëri ditën e djeshme tha se është rritur në 25 mijë numri i personave që janë larguar nga vendbanimet e tyre për shkak të sulmeve në rritje në lindje të Halepit dhe se mijëra njerëz ende përballen me rrezikun e largimit nga vendbanimet e tyre.