Şerife Çetin
07 Dhjetor 2017•Përditësim: 07 Dhjetor 2017
BRUKSEL (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Didier Reynders, duke u shprehur se vendimi i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për njohjen e Jerusalemit si "kryeqytet të Izraelit" është trishtues, tha se Bashkimi Evropian (BE) duhet të luajë një rol më aktiv në Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Reynders në një intervistë për “Radio 1” të Belgjikës, tha se “Diplomatët belgë iu treguan haptazi homologëve të tyre amerikanë se ky është një vendim shumë i gabuar”.
Duke vënë në dukje se vendimi i Trumpit për Jerusalemin mund të shkaktojë dhunë, Reynders tha se zgjidhja e vetme është ndërtimi i dialogut mes Izraelit dhe Palestinës.
Duke u shprehur se vendimi i qeverisë së SHBA-ve ka vështirësuar procesin e paqes, ai tha se “Tani BE-ja duhet të luajë një rol më aktiv në procesin e paqes. Ne si partneri i madh tregtar i Izraelit dhe një prej mbështetësve kryesorë të qeverisë së Palestinës, kemi një pozicion të rëndësishëm”.
Reynders tha se zgjidhja e vetme për problemin Izrael-Palestinë është “zgjidhja me dy shtete” dhe shtoi se BE-ja duhet të ndërhyjë për të ofruar komunikim të drejtpërdrejtë mes dy palëve.
-“SHBA ka filluar të marrë vetë vendime”
Në anën tjetër Reynders tha se nuk është çuditur me vendimin e marrë nga SHBA-të dhe se ky është një prej premtimeve të presidentit Trump gjatë fushatës zgjedhore. Ai shtoi se Trumpi po përpiqet që t’i mbajë edhe premtimet e dhëna për Marrëveshjen e Parisit dhe marrëveshjen për programin bërthamore të Iranit.
“Tanimë shohim se SHBA nuk i përfshin aleatët në marrjen e vendimeve të politikës së jashtme. Qeveria e SHBA-ve po merr vendime vetë, në mënyrë të njëanshme”, tha Reynders.