Şerife Çetin
09 janar 2020•Përditësim: 10 janar 2020
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin e Iranit, Hassan Rouhani, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një njoftimi të Këshillit Evropian, Michel ka shprehur ngushëllime lidhur me rrëzimin e avionit të Linjës Ajrore të Ukrainës dje pas ngritjes në Teheran.
Michel ka thënë se BE është e gatshme të jetë në kontakt me të gjitha palët për uljen e tensioneve në rajon.
Ai ka bërë thirrje për shmangje nga të gjitha veprimet që do të rrisnin tutje tensionet, duke shtuar se marrëveshja bërthamore me Iranin është një përfitim i madh i cili është arritur pas negociatave të gjata.
Michel ka theksuar se Teherani duhet t'u shmanget hapave të pakthyeshme dhe se BE do të vazhdojë të luajë rol ndërkombëtar duke bashkëpunuar me shtetet anëtare.
Nga ana tjetër, presidenti iranian Rouhani ka thënë se BE vepron me përgjegjësi dhe luan një rol për mundësimin e stabilitetit në rajon.
Tensionet në rajon tashmë të rritura midis SHBA-së dhe Iranit u përshkallëzuan në nivel të lartë pasi gjenerali iranian, Qasem Soleimani, u vra në një sulm amerikan në Bagdad të premten e kaluar.
Sulmi ndodhi pas një serie akuzash midis SHBA-së dhe forcave të mbështetura nga Irani që filluan me vrasjen e një kontraktori amerikan në një bazë në Irak në fund të muajit të kaluar.
SHBA u hakmor me sulme ajrore ndaj milicisë së mbështetur nga Irani, për të cilën tha se është përgjegjëse për kryerjen e sulmit, duke vrarë dhjetëra persona.
Më pas, të martën e kaluar, Ambasada e SHBA-së në Bagdad u sulmua nga një grup i milicive dhe demonstruesve të zemëruar.
SHBA kishte akuzuar Soleimanin për sulmet në ambasadën dhe bazën amerikane, duke pohuar se nëse sulmi ajror në të cilën u vra ai nuk do të ishte kryer, qindra amerikanë të tjerë do të kishin humbur jetën.
Në kundërpërgjigje të vrasjes së Soleimanit, komandantit të forcës elitare Kuds të Gardës Revolucionare, Irani dje lançoi dhjetëra raketa balistike ndaj bazave në Irak ku janë të vendosura trupat amerikane.
Tensionet midis SHBA-së dhe Iranit shpesh kanë qenë të acaruara që kur presidenti amerikan Donald Trump në vitin 2018 vendosi që të tërheqë në mënyrë të njëanshme Washingtonin nga marrëveshja bërthamore e fuqive botërore me Iranin.