Ekip
19 nëntor 2021•Përditësim: 20 nëntor 2021
Bashkimi Evropian (BE) dhe NATO kanë dënuar testimin e fundit të raketës anti-satelitore nga Rusia, duke i bërë thirrje Moskës zyrtare që të përmbahet nga “aktet e ngjashme të rrezikshme dhe të papërgjegjshme në të ardhmen”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në dy reagime të ndara të lëshuara nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi vendimmarrës i ambasadorëve të NATO-s, u dënua “sjellja e papërgjegjshme” e Rusisë në kryerjen e testit.
NATO dhe BE-ja thanë se testimi rezultoi në mbeturina orbitale që rrezikojnë aktivitetet hapësinore, përfshirë astronautët në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.
“Veprimet e Rusisë demonstrojnë një model të sjelljes së papërgjegjshme, si dhe rrezikojnë sigurinë, interesat ekonomike, shkencore dhe tregtare të të gjitha kombeve dhe aktorëve që synojnë të eksplorojnë dhe të përdorin hapësirën e jashtme për qëllime paqësore”, tha NATO, duke theksuar se Moska përmes këtij akti është kontradiktore ndaj pretendimeve të veta për të kundërshtuar “armatizimin” e hapësirës.
Borrell, nga ana e tij, theksoi se me këtë testim Rusia “demonstroi aftësinë e saj për të shkatërruar satelitët në hapësirë”, që sipas tij është një sjellje kërcënuese që “minon stabilitetin në hapësirën e jashtme”.
Të dy organet kërkuan nga Rusia që të kontribuojë në zhvillimin e normave ndërkombëtare për sjellje të përgjegjshme në hapësirën e jashtme dhe që të përmbahet nga testimet e ngjashme në të ardhmen.
Të hënën e kaluar, Rusia kreu një testim kinetik të armëve direkte anti-satelitore (ASAT) kundër satelitit të saj COSMOS 1408.
Sipas Departmentit të Shtetit të SHBA-së, testimi rezultoi në 1.500 copë të mbeturinave orbitale dhe duket se ato gjenerojnë qindra mijëra copa të mbeturinave më të vogla orbitale.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pranoi se ata kanë kryer testimin, por njoftimi i tyre mohoi se testimi ka vënë në rrezik Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, si dhe akuzoi SHBA-në për hipokrizi për atë që kërkon respektimin e normave hapësinore nga Rusia.