Servet Günerigök
11 Shkurt 2021•Përditësim: 11 Shkurt 2021
Në bisedën e tij të parë telefonike me presidentin e Kinës, Xi Jinping, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, shprehu shqetësimet e tij lidhur me Hong Kongun dhe Xinjiang dhe diskutoi një varg çështjesh, përfshirë pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, Biden gjatë bisedës pohoi prioritetet e tij për të mbrojtur sigurinë, prosperitetin, shëndetin dhe mënyrën e jetës së popullit amerikan dhe ruajtjen e një Indo-Paqësori të lirë dhe të hapur.
"Presidenti Biden nënvizoi shqetësimet e tij thelbësore në lidhje me praktikat e detyrueshme dhe të padrejta ekonomike të Pekinit, shtypjen në Hong Kong, abuzimet e të drejtave të njeriut në Xinjiang, dhe veprime gjithnjë e më këmbëngulëse në rajon, duke përfshirë drejt Tajvanit", theksohet në njoftim.
Telefonata erdhi pasi Biden njoftoi formimin e një Task Force të Departamentit të Mbrojtjes për Kinën për t'u marrë me "sfidat në rritje" nga Kina.
"Kemi nevojë të përballemi me sfidat në rritje të paraqitura nga Kina për të ruajtur paqen dhe mbrojtur interesat tona në Indo-Paqësor dhe globalisht", u tha Biden gazetarëve gjatë vizitës së tij të parë si president në Pentagon.
Ndër çështjet që dy liderët shkëmbyen mendime ishin COVID-19 dhe sfidat e sigurisë globale shëndetësore, ndryshimet klimatike dhe parandalimi i përhapjes së armëve.
Sipas presidentit amerikan, Kina është "konkurrenti më serioz" i Amerikës.