Mücahit Oktay
14 Shkurt 2022•Përditësim: 14 Shkurt 2022
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka telefonuar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe ka përsëritur premtimin e tij për mbështetje lidhur me krizën kufitare me Rusinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Biden zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas Zelensky dhe ka përsëritur angazhimin e SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Biden ka theksuar se SHBA-ja me aleatët dhe partnerët e saj do të japin përgjigje "të shpejtë dhe në mënyrë të vendosur" nëse Rusia tenton të kryejë ndonjë sulm ndaj Ukrainës.
Dy liderët kanë rënë dakord për vazhdimin e ndjekjes së rrugës së diplomacisë dhe parandalimit si përgjigje të grumbullimit ushtarak të Rusisë në kufirin e Ukrainës.
Në një deklaratë me shkrim dje nga Shtëpia e Bardhë ishte theksuar se Biden gjatë një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin paralajmëroi se një ndërhyrje e dytë ndaj Ukrainës do të sjellë "kosto të shpejtë dhe serioze" për Rusinë.