Muhammed Emin Canik
26 shkurt 2022•Përditësim: 26 shkurt 2022
Është rritur në 217 numri i personave që kanë humbur jetën nga katastrofa e përmbytjeve në rajonin e Rio de Janeiros në Brazil, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave braziliane, për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut në zonën malore Petropolis të Rio de Janeiros, është rritur në 217 numri i viktimave dhe se 69 të tjerë janë raportuar të zhdukur dhe se 900 persona janë vendosur në strehimore.
Ndërkohë bëhet e ditur se në qytet janë në vazhdim punimet e kërkimit për të zhdukurit dhe punimet e pastrimit për normalizimin e jetës.
Në shumë vende të qytetit u regjistruan rrëshqitje dheu për shkak të shirave intensivë më 15 shkurt në zonën malore Petropolis të Rio de Janeiros.
Në pamjet e postuara në median sociale, rrugët, parqet dhe marketet u përmbytën, ndërsa automjetet dhe autobusët mbetën nën ujë.
Guvernatori i Rio de Janeiros, Claudio Castro tha se rajoni është përballur me reshjet më intensive që nga viti 1932.
Ishte njoftuar se në Petropolis për shkak të përmbytjeve janë shkatërruar dhjetëra shtëpi dhe se në një periudhë prej 6 orësh kanë rënë aq reshje sa priteshin përgjatë gjithë muajit shkurt.
Përmbytjet që ndodhën në vitin 2011 në qytet dhe të cilat u shndërruan në tragjedi shkaktuan mbi 900 viktima dhe më shumë se 100 të zhdukur.