Burak Bir
17 Maj 2023•Përditësim: 18 Maj 2023
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak dhe homologu i tij holandez, Mark Rutte, kanë rënë dakord "të punojnë për të ndërtuar një koalicion ndërkombëtar" për t'i ofruar Ukrainës avionë luftarakë F-16, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Zyra e Kryeministrit të Britanisë tha se Sunak dhe Rutte diskutuan mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën ndërsa Sunak foli edhe për vizitën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Britani.
"Kryeministrat Sunak dhe Rutte ranë dakord se do të punonin për të ndërtuar një koalicion ndërkombëtar për t'i ofruar Ukrainës aftësitë ajrore luftarake, duke mbështetur me gjithçka, nga trajnimi deri te prokurimi i avionëve F-16", thuhet në deklaratë.
Gjatë bisedimeve, Sunak përsëriti besimin e tij se "vendi i merituar i Ukrainës është në NATO", thuhet në deklaratë, duke shtuar se të dy udhëheqësit ranë dakord gjithashtu mbi rëndësinë që aleatët të ofrojnë ndihmë afatgjatë të sigurisë për Ukrainën "për të garantuar se mund të frenojnë sulmet e ardhshme".
Të hënën, Zelenskyy bëri një vizitë të papritur në Londër pas një turneu në Evropën Perëndimore ku vizitoi Romën, Berlinin dhe Parisin.
Kjo ishte vizita e tij e dytë në Londër që nga fillimi i luftës së Rusisë, pasi Zelenskyy gjithashtu bëri një vizitë të paparalajmëruar në Britani në shkurt.