Ekip
04 Shkurt 2022•Përditësim: 04 Shkurt 2022
Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, deklaroi se raportet e SHBA-së se Rusia mund të përdorte një video të rreme sulmi si pretekst për pushtimin e Ukrainës ishin "tronditëse", transmeton Anadolu Agency (AA).
"Kjo është dëshmi e qartë dhe tronditëse e agresionit të paprovokuar të Rusisë dhe aktivitetit të fshehtë për të destabilizuar Ukrainën. Ky synim luftarak ndaj një vendi sovran demokratik është plotësisht i papranueshëm dhe ne e dënojmë ashpër", tha Truss në një deklaratë.
"Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët tanë do të vazhdojnë të ekspozojnë mashtrimin dhe propagandën ruse dhe ta quajmë atë ashtu si është. E vetmja rrugë që mbetet është që Rusia të heqë dorë dhe të angazhohet për rrugën diplomatike", shtoi ajo.
SHBA-ja beson se Rusia po planifikon të organizojë një sulm të rremë nga forcat ukrainase në territorin rus ose njerëz rusishtfolës për të justifikuar veprimet e tyre pranë kufirit të Ukrainës, ka deklaruar zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
"Ne besojmë se Rusia do të prodhojë një video propagandistike shumë eksplicite, e cila do të përfshijë kufoma dhe aktorë që do të aktronin si vajtues dhe imazhe të vendeve të shkatërruara, si dhe pajisje ushtarake në duart e Ukrainës ose Perëndimit", u tha Kirby gazetarëve gjatë një konference për shtyp.
"Dhe ne kemi informacion...se rusët ka të ngjarë të duan të sajojnë një pretekst për invazion", shtoi ai.
"New York Times" raportoi më herët se SHBA-ja ka marrë informacione të inteligjencës në lidhje me një plan rus për të përhapur një video të rreme për të forcuar fushatën e saj të dezinformimit.
Sipas zyrtarëve të lartë të administratës amerikane dhe të tjerëve të informuar mbi materialin, me videon "synohet një situatë e inskenuar me kufoma pas një shpërthimi dhe pamje të vendeve të shkatërruara", sipas Times.
Zyrtarët thanë se videoja ishte caktuar të përfshinte gjithashtu pajisje ushtarake të falsifikuara ukrainase, dronë të prodhuar nga Turqia dhe aktorë vajtues rusishtfolës.
Ukraina dhe Rusia janë përfshirë në konflikt që nga shpërthimi i armiqësive në rajonin lindor të Donbasit në vitin 2014 pasi Rusia aneksoi ilegalisht Gadishullin e Krimesë.
Rusia gjithashtu ka grumbulluar kohët e fundit dhjetëra mijëra trupa pranë kufijve të Ukrainës, duke shkaktuar frikën se Kremlini mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër ish-republikës sovjetike.
Moska ka mohuar se po përgatitet për invazion, duke thënë se trupat e saj janë atje për stërvitje.