Mohamad Misto,Adham Kako
15 Mars 2018•Përditësim: 15 Mars 2018
GUTA LINDORE/ANKARA (AA) – Tre mijë civilë janë detyruar të migrojnë në rajonet e regjimit për shkak të bombardimit të qytezës Hammurije dhe të rrugëve të daljes në rajonet opozitare të kësaj qyteze, pranë rajonit të Gutës Lindore, që forcat e regjimit të Bashar al Asadit dhe përkrahësit e tij e ndanë në 3 pjesë, raporton Anadolu Agency (AA).
Forcat e regjimit të Asadit të cilët nuk po e respektojnë vendimin për armëpushim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), më 3 mars kishin nisur një operacion tokësor për pushtimin e Gutës Lindore.
Forcat e regjimit dhe mbështetësit e tij, më 12 mars kanë ndarë Gutën Lindore në tre pjesë dhe kanë realizuar sulme të vazhdueshme ndaj qytezës Hammurije e cila ndodhet në pjesën jugore dhe ndaj rrugëve të daljes në rajonet opozitare. Si pasojë e sulmeve rreth 3 mijë civilë në këtë qytezë u detyruan që të dalin në rajonet që ndodhen nën kontrollin e forcave të regjimit.
Siç njoftojnë gazetarët e AA-së në rajon, forcat e regjimit me qëllim të pushtimit të plotë të qendrës së qytezës po nxjerrin nga shtëpitë e tyre popullin e rajonit. Civilët të cilët merren në rajonin e regjimit pa dhënë asnjë siguri ndërkombëtare, po ballafaqohen me rrezikun e arrestimit.
Forcat e regjimit kanë hyrë në Hammurije
Sipas informacioneve nga burimet lokale, regjimi dhe përkrahësit e tij po vazhdojnë avancimin në qendrën e qytezës Hammuriye duke realizuar sulme intensive ajrore dhe tokësore për të pushtuar pjesën jugore të Gutës Lindore të cilën e ndanë në 3 pjesë.
Në anën tjetër, forcat e regjimit mbrëmë në orët e vonshme kanë kryer sulm me armë kimike me përmbajtje të gazit klorin ndaj vendbanimeve civile në qytezën Hammurije të Gutës Lindore, ku civilë të shumtë ishin prekur nga ky gaz.
Kujtojmë se më 24 shkurt KS-OKB miratoi një rezolutë për armëpushim të paktën një mujor në të gjithë Sirinë, duke filluar nga Guta Lindore. Mirëpo, mbeti e paqartë se si do të zbatohet ky armëpushim, i cili u vendos që të zbatohet “pa vonesë". Pas vendimit të KS-OKB-së Rusia më 27 shkurt bëri të ditur se çdo ditë mes orës 09:00 dhe 14:00 do të jepet “pauzë humanitare” në Gutën Lindore duke thënë se regjimi do ta respektojë atë.
Në Gutën Lindore rreth 400 mijë civilë që prej 5 vitesh jetojnë nën bllokadë. Pavarësisht se Guta Lindore në Marrëveshjen e Astana-s u shpall "rajon për uljen e tensioneve", regjimi i Asadit për të cilin rolin garantues e ka marrë përsipër Rusia, që nga muaji prill i vitit të kaluar ka intensifikuar rrethimin e tij në këtë rajon ndërsa në muajt e fundit ka shtuar edhe sulmet.
Kriza humanitare në Gutën Lindore nga dita në ditë përkeqësohet, ndërsa mijëra civilëve u nevojitet evakuim. Shumica e civilëve të cilët duhen evakuuar urgjentisht përbëhen nga fëmijët dhe persona të sëmurë nga kanceri. Përveç kësaj, shumë fëmijë në Gutën Lindore kanë vdekur si pasojë e urisë dhe pamundësisë për të patur qasje në barna.
Komisioni Ndërkombëtar i OKB-së për Studimet e Pavarura Siriane njoftoi javën e kaluar se regjimi ka kryer një seri krimesh të luftës në Gutën Lindore, të tilla si përdorimi i armëve kimike kundër civilëve, duke i lënduar njerëzit me uri dhe pengesë të evakuimeve mjekësore.