Dejan Maksimoviç
29 nëntor 2017•Përditësim: 30 nëntor 2017
LONDËR (AA) – Antonio Conte, trajneri i kampionit aktual anglez Chelsea ftoi lojtarët e tij që të harrojnë “gjahun” pas liderit të tabelës Manchester City dhe të fokusohen në tentimin për të arritur ekipin e dytë në tabelë Manchester United, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Qytetarët” janë në krye të tabelës me 37 pikë, pesë më shumë se rivali i tyre United, por edhe një ndeshje më pak. Chelsea është në vendin e tretë dhe ngecin 11 pikë prapa, ndërsa të dyja ekipet sonte luajnë xhiron e 14-të të Premier Ligës.
“Doemos duhet të shikojmë veten, e jo të tjerët. Tani qëllimi është të mbahemi afër ekipit që është para nesh, e ai është Manchester United. Më pas qëllimi jonë parësor është t’i mbërrijmë, e nëse e bëjmë, atëherë mund të shikojmë drejt ekipit që do të jetë para nesh. Kështu duhet të mendojmë dhe në çdo ndeshje të japim më të mirën prej vetes dhe të fitojmë. Ky duhet të jetë mentaliteti ynë i duhur, mentalitet fituesi”, tha Conte, transmetojnë mediat britanike.
Chelsea sonte në Stamford Bridge do të përballet me Swansea City.