Ahmet Gürhan Kartal
02 Prill 2019•Përditësim: 03 Prill 2019
Një grup ndërpartiak deputetësh britanikë parashtroi sot një mocion si një ofertë e fundit për të ndaluar një Brexit pa marrëveshje që ka shumë mundësi të ndodhë brenda dhjetë ditësh, raporton Anadolu Agency (AA).
Deputetja laburiste Yvette Cooper dhe aleatët e saj, janë vënë në një përpjekje për të detyruar kryeministren Theresa May të kërkojë nga Bashkimi Evropian (BE) t'i mundësojë një shtyrje të sërishme të nenit 50, nën të cilin Britania kërkoi dalje nga Unioni.
Mocioni i Cooper-it do të votohet të mërkurën për mbështetje, thonë mediat lokale, sipas të cilave, për të njëjtën pritet që Parlamenti të debatojë të enjten dhe nëse miratohet, do të përcillet në Dhomën e Lordëve.
Në rast të miratimit, propozim-ligji në fjalë do të detyrojë kryeministren May të prezantojë një plan të ri për të vazhduar Nenin 50.
"Jemi në një situatë vërtetë të rrezikshme, pasi përballemi me një rrezik serioz dhe në rritje, që brenda dhjetë ditësh të mos kemi një marrëveshje”, tha Cooper, duke shtuar se May ka një përgjegjësi për të parandaluar që kjo të ndodhë.
Nëse qeveria nuk do të veprojë urgjentisht, shtoi më tej Cooper, atëherë Parlamenti ka një përgjegjësi që të përpiqet të sigurojë që kjo të bëhet.
Parlamenti i Britanisë mbrëmë refuzoi katër propozime alternative për mënyrën e largimit të vendit nga BE-ja.
Pasi më herët në tri raste refuzuan marrëveshjen që kryeministrja britanike May kishte arritur me krerët e BE-së për marrëdhëniet e ardhshme midis Londrës dhe Brukselit, deputetët britanikë as mbrëmë nuk mbështetën katër propozimet e reja për Brexit-in.
Katër alternativat e refuzuara mbrëmë janë pjesë e pakos prej tetë alternativave që Parlamenti britanik hodhi poshtë javën e kaluar, për të cilin pati një dallim të vogël në vota. Me kërkesë të Britanisë, BE-ja shtyu Brexit-in deri më 12 prill.
Pasiguria rreth Brexit-it ende vazhdon, ndërsa udhëheqësit e BE-së rreth kësaj çështjeje do të mbajnë një samit të jashtëzakonshëm më 10 prill.