Ekip
26 Maj 2022•Përditësim: 26 Maj 2022
Brutaliteti i policisë ka qenë një problem serioz në Gjermani, por shumë raste nuk raportohen ose nuk hetohen apo ndëshkohen siç duhet, sipas ekspertëve.
Statistikat zyrtare, të publikuara çdo vit nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA), ofrojnë vetëm informacion të kufizuar. Aktualisht, llogaritet se ka 1.500 deri në 2.000 raste të dhunës policore në vend.
Megjithatë, numri i rasteve të paraportuara ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë dhe madje mund të jetë edhe pesë herë më i lartë se të dhënat zyrtare, sipas hulumtimit të fundit të kryer nga institucionet e pavarura.
Ish-oficeri i policisë dhe ekspert sigurie, Stefan Schubert, tha për Anadolu Agency (AA) se shumë viktima përballen me vështirësi për të raportuar incidente të tilla, ose nuk u besojnë autoriteteve.
"Numri i rasteve të paraportuara është i lartë në çdo fushë të krimit. Gjithnjë e më pak po raportohen, sepse edhe qytetarët kanë vërejtur se kallëzimi i tyre është pak i dobishëm, për shkak se prokuroritë publike pak punojnë, janë të mbingarkuar dhe nuk thirren fare si dëshmitarë", tha ai.
Shpesh viktima është në një situatë që e bën thuajse të pamundur ngritjen e kallëzimit kundër punonjësve të policisë më vonë, sipas ekspertit.
"Kështu, në rastin e dhunës policore, situata rëndohet nga fakti se një qytetar zakonisht gjendet në një situatë ku përfshihet një grup i tërë policësh, tre, katër, pesë policë", tha ai.
"Atëherë viktima është vetëm, ose me një shoqërues. Dhe ky është rasti, sigurisht, kur bëhet fjalë për dëshminë kundër dëshmisë, kjo është gjithmonë një pozicion fillestar shumë i keq. Prandaj mendoj se kjo i dekurajon shumë njerëz që të raportojnë këto gjëra", shtoi ai.
Dhuna racore
Sipas ekspertëve, emigrantët, refugjatët dhe njerëzit me ngjyrë shpesh preken në mënyrë disproporcionale nga brutaliteti i policisë.
Bashkëthemeluesi i Fushatës për Viktimat e Dhunës Raciste Policore (KOP), Biplab Basu, i cili gjithashtu punon në qendrën e këshillimit ReachOut në Berlin, tha për AA se prokurorët gjermanë shpeshherë janë në anën e policisë kur viktimat raportojnë brutalitetin e policisë. "Ky qëndrim ka qenë faktor dekurajues për shumë njerëz", tha ai.
"Shumë pak nga emigrantët dhe anëtarët e komunitetit me ngjyrë kanë besim në polici dhe drejtësi ... se mund të bëhet gjë ose të arrihet ndonjë rezultat pozitiv nëse regjistrojnë raste kundër policisë", tha ai, duke shtuar se "racizmi strukturor" është shumë i shfrenuar brenda departamentit të policisë dhe brenda sistemit të drejtësisë penale.
Ai kritikoi gjithashtu qeverinë gjermane se nuk ka marrë asnjë masë serioze për të trajtuar problemin e brutalitetit policor në vend.
"Qeveria nuk po bën sa duhet. Mohimi i dhunës policore është një faktor pse njerëzit kanë humbur besimin në sistemin e drejtësisë … sistemin e drejtësisë penale", tha ai.