Ayşe Doğru
03 nëntor 2019•Përditësim: 04 nëntor 2019
Këshilltarja në Departamentin e planifikimit strategjik të Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Khodynskaya-Golenishcheva tha se "Me mbështetjen dhe përpjekjet e Turqisë dhe Rusisë, në Gjenevë filluan punimet e Komitetit Kushtetues të Sirisë të përbërë nga opozita siriane, shoqëria civile dhe anëtarët e regjimit", raporton Anadolu Agency (AA).
Khodynskaya-Golenischeva, i cila është edhe autorja e librave "Lufta e Halepit dhe diplomacia", "Rrugët me gjemba që çojnë në paqe", ka bërë një vlerësim për gazetarin e AA-së në Konferencën e 6-të ndërmjetësuese të Stambollit që zhvillohet nga Ministria e Jashtme e Turqisë.
"Pas përpjekjeve për më shumë se 3 vite në Siri për të siguruar dakordim me SHBA-në dhe aktorët tjerë ndërkombëtarë, Rusia e mësoi me përvojë se rruga që shkon drejt paqes në Siri kalon përmes Turqisë", tha Khodynskaya-Golenishcheva.
Në fjalën e saj ajo ka rikujtuar se ka qenë e pranishme në ekipin rus në marrëveshjet e armëpushimit të arritur me SHBA-në në shtator 2016 në Halepin Lindor dhe se ky armëpushim zgjati vetëm 2 orë për shkak se palët anashkaluan aktorët lokal.
"Nuk mundëm ta çmilitarizojmë qytetin ashtu sikurse u dakorduam. Në fillim menduam se kishte një mungesë vullneti nga SHBA-ja por pasi diskutuam mes nesh kuptuam që kishte një gjë tjetër. Atëherë filloi marrëdhënia e përzemërt Rusi-Turqi", shtoi Khodynskaya-Golenishcheva.
Pasi njoftoi se marrëveshja e arritur mes Rusisë dhe Turqisë u zbatua menjëherë, Khodynskaya-Golenishcheva deklaroi se "Kjo sepse pala turke ka marrëdhënie të mira me grupet në terren dhe se ka ndikimin që nëpërmjet tyre të zbatojë marrëveshjen".
"Çështja e Halepit inkurajoi kërkimin e një formati më të mirë negociues për të zgjidhur krizën e Sirisë, për të cilën madje edhe Grupi Ndërkombëtar i Mbështetjes për Sirinë me 20 anëtarë të bashkëkryesuar nga ministrat e Jashtëm të SHBA-së dhe Rusisë nuk mundën të zgjidhnin problemet në Halep apo në Idlib", tha ajo duke shtuar se "Vërejtëm që grupi nuk mund të përqendrohej, kishte shumë persona që donin të dominonin në tryezë. Kuptuam që kishte nevojë për veprime dhe jo fjalime".
- Ndihma e Turqisë ndryshoi situatën
"Kur vërejti dobinë e komunikimit me Turqinë në Halep, qeveria e Moskës vazhdoi këtë lidhje dhe palët arritën armëpushim në vitin 2017", tha Khodynskaya-Golenishcheva.
"Ne nga ana jonë e bindëm qeverinë e Damaskut që t'i përmbahej armëpushimit, po ashtu edhe Turqia bindi grupet opozitare që të vazhdonin armëpushimin. Ndoshta kjo ishte e lehtë të bëhej në veri të Sirisë, por Turqia arriti edhe më të vështirën duke siguruar këtë edhe në jug", tha Khodynskaya-Golenischeva.
Ajo theksoi se "Rusia dhe Turqia deri më tani kanë arritur me sukses të formojnë zonat e deeskalimit në Idlib, Latakia, Halep, Hama, në veri të Homsit, në Gutën Lindore, në zonën Deraa në kufi me Jordaninë dhe në Kunejtra.
"Ideja kryesore ishte që të ndalte situata, të ndalte konflikti. Pavarësisht se territore të mëdha ndodheshin nën kontrollin e grupeve opozitare. Më besoni, e di sepse jam pjesë e procesit, bindja e Damaskut ishte shumë e vështirë por ia arritëm", u shpreh Khodynskaya-Golenishcheva.
Diplomatja ruse Khodynskaya-Golenishcheva theksoi se "Me mbështetjen dhe përpjekjet e Turqisë dhe Rusisë, në Gjenevë filluan punimet e Komitetit Kushtetues të Sirisë të përbërë nga opozita siriane, shoqëria civile dhe anëtarët e regjimit".