Michael Hernandez
07 shkurt 2019•Përditësim: 07 shkurt 2019
WASHINGTON (AA) - Ministrat nga vendet anëtare të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të kanë deklaruar se eliminimi i kontrollit të territorit të DEASH-it në Irak dhe Siri, megjithëse është i rëndësishëm nuk shënon fundin e luftës kundër grupit terrorist, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të përbashkët, grupi i ministrave të vendeve të koalicionit përshëndeti sukseset ushtarake kundër DEASH-it, por theksoi se ata kanë ardhur “me kosto të jashtëzakonshme” dhe se “angazhimi i mëtejshëm në Irak dhe Siri është i nevojshëm, ku grupi terrorist është akoma i qëndrueshëm”.
“Udhëheqësit e ISIS-it (DEASH), bashkëpunëtorët dhe mbështetësit e saj i shohin humbjet territoriale në Irak dhe Siri si një pengesë, jo si humbje”, theksohet në deklaratë.
Në përgjigje, theksohet më tej në deklaratë, DEASH gjithnjë e më shumë i drejtohet taktikave kryengritëse për të destabilizuar Sirinë dhe Irakun.
“Paralelisht, ISIS fokusohet në rritjen e mbështetjes për degët dhe rrjetet e saj në mbarë botën, në mënyrë që të vazhdojë luftën nga vendet më të lehta dhe në frymëzimin e terroristëve të rritur brenda këtyre vendeve”, theksohet në deklaratë.
Deklarata pason pas raportit të Kombeve të Bashkuara (OKB) ku paralajmërohet se DEASH po i transformon operacionet në rrjete të fshehta në Irak dhe Siri, pas disfatës ushtarake në të dy vendet.
“Një dokument i marrë nga një shtet anëtar përshkruan objektivat e ISIS-it për periudhën pas kalifatit, të minojnë aktivitetet e stabilizimit dhe rindërtimit, të shënjestrojnë përpjekjet e rindërtimit të infrastrukturës dhe në përgjithësi të pengojnë përparimin ekonomik”, thuhej në raportin e OKB-së.
“Qendra e gravitetit” të grupit pritet të mbetet në Siri dhe Irak, ku numëron 14 mijë deri në 18 mijë militantë në radhët e saj, si dhe rezerva financiare që variojnë midis 50 milionë dhe 300 milionë dollarë.
Koalicioni theksoi se mbetet i angazhuar për të punuar me qeverinë e Irakut për parandaluar grupin terrorist DEASH nga “shpërndarja” e luftëtarëve, armëve apo burimeve të saj.
Koalicioni po ashtu tha se qëndron me popullin sirian në kërkimin e një tranzicioni politik të lehtësuar nga OKB-ja dhe shtoi se mbështet përpjekjet e rimëkëmbjes dhe stabilizimit lokal në vend “aty ku është e mundur” në zonat e çliruara nga DEASH-i.