Tuba Şahin
11 Nëntor 2019•Përditësim: 12 Nëntor 2019
Një ngjarje sipërmarrëse-ekonomike, ku do të eksplorohen masat e nevojshme, ku vendet mesdhetare kanë nevojë për të zhvilluar një ekonomi me të vërtetë të globalizuar do të mbahet në Barcelonë më 20-22 nëntor, raporton Anadolu Agency (AA).
Java e 13-të Mesdhetare e Drejtuesve Ekonomikë (MedaWeek), nën moton e saj "Një agim i ri për Mesdheun", do të mbledhë biznese, korporata, zyrtarë qeveritarë, ekspertë dhe organizata shumëpalëshe.
Aty gjithashtu do të trajtohen sfidat me të cilat ekonomitë përballen me mjedisin që ndryshon me shpejtësi dhe politikat për t’u përballuar me të, si dhe çështjet përkatëse për sektorin privat mesdhetar, siç janë qëndrueshmëria, papunësia e të rinjve, hendeku i aftësive për Revolucionin Industrial 4.0, përfshirja e grave në fuqinë punëtore, nismat e sipërmarrjes, mundësitë e investimeve në vendet mesdhetare dhe Afrikë, të drejtat e njeriut si dhe ndryshimet klimatike.
Ngjarja, për të cilën Anadolu Agency (AA) është partner global i komunikimit, do të organizohet nga Shoqata e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë Mesdhetare (ASCAME) dhe Dhoma e Tregtisë, Industrisë dhe Lundrimit në Barcelonë.
"Pas një dekade vlerësimi ndërkombëtar, MedaWeek Barcelona është bërë pikë referimi në Mesdhe për dialog ekonomik dhe politik, duke shprehur interesat e sektorit privat dhe politikë-bërësve të nivelit të lartë në rajon dhe në botë", ka thënë Ahmed El Wakil, presidenti i ASCAME.
Ngjarja do të përqendrohet në tre objektiva kryesore - rëndësinë e rolit të kontinentit afrikan për Mesdheun, alternativa për sistemin bankar perëndimor dhe nevojat e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës së Mesdheut.
Në edicionet e kaluara të forumit u paraqitën më shumë se 35 forume tematike, 600 seanca pune dhe 1.800 folës të spikatur që u mirëpritën nga mbi 20.000 të pranishëm nga e gjithë bota.