Davit Kachkachishvili
14 dhjetor 2022•Përditësim: 14 dhjetor 2022
Pjesët e mjeteve ajrore pa pilot (UAV) të lëshuara nga ushtria ruse të cilat u shkatërruan në ajër nga forcat ukrainase në Kiev dhe përreth tij, dëmtuan infrastrukturën civile, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitaliy Klichko njoftoi se 10 mjete ajrore pa pilot (UAV) u rrëzuan në qytet dhe rrethinat e tij në mëngjes.

Dëmtimi ndodhi kur pjesë të një droni të shkatërruar nga forcat e mbrojtjes ajrore ukrainase goditën një ndërtesë në lagjen Shevchenkivsky të Kievit.
Për shkak të shpërthimeve të ndodhura pas rrëzimit të dronit, disa shtëpive në lagje u janë shkatërruar dritaret dhe u janë dëmtuar çatitë.
45-vjeçarja Alyona Yakimenko, e cila mbulonte me qese plastike dritaret e makinës së saj, para ndërtesës së goditur nga droni, ka treguar për AA atë që ka përjetuar.

Yakimenko tha se fillimisht dëgjuan sirenat në orët e para të mëngjesit dhe më pas ndodhi një shpërthim.
Ajo tha se dëgjuan një zë "të çuditshëm" të ngjashëm me tingullin e motorit para shpërthimit.
"Pati një shpërthim të fuqishëm. U shtrimë në tokë. Qëndruam ashtu për pak. U frikësuam shumë. Më pas djali im doli jashtë. Kur u kthye në shtëpi, më tha se ishte dëmtuar makina jonë", tha Yakimenko.
Duke thënë se familja u evakuua në Kiev në periudhën e parë të luftës për shkak të luftimeve të vazhdueshme nga rajoni i Donetskut, Yakimenko theksoi se nuk ka patur të lënduar apo të vdekur si pasojë e rënies së pjesëve të dronit.
Sipas lajmeve të mediave lokale, në sulmet e mëngjesit në Vishnevoe të Kievit u dëmtua një shtëpi.
Në orët e para të mëngjesit, Klichko njoftoi se ka pasur shpërthime në lagjen Shevchenkivskyi të kryeqytetit.