Mahmoud Mohamed Barakat
21 Gusht 2020•Përditësim: 21 Gusht 2020
Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) do të themelojnë ambasadën e tyre në Tel Aviv pas normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin, tha ministri i Jashtëm i vendit Anwar Gargash në një video-konferencë me Këshillin Atlantik me qendër në SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gargash tha se kur të realizohet nënshkrimi i marrëveshjes së normalizimit me Izraelin që u njoftua javën e kaluar, "Abu Dhabi do të ketë ambasadën e tij në Tel Aviv bazuar në konsensusin ndërkombëtar për zgjidhje dyshtetërore”.
"Ambasada do të jetë në Tel Aviv. Kjo është shumë e qartë," tha ai.
I pyetur për arritjet e siguruara me marrëveshjen, Gargash tha se "arritja më konkrete ishte të ndalet aneksimi i tokave palestineze" dhe përsëriti angazhimin e EBA-së për një zgjidhje dyshtetërore midis Palestinës dhe Izraelit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, megjithatë, ka thënë se ai ka pranuar të shtyjë aneksimin në Bregun Perëndimor të okupuar si pjesë e marrëveshjes së normalizimit, por planet mbesin "në tryezë".
Më 13 gusht, Izraeli dhe EBA njoftuan vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike pas një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA, e cila ka shkaktuar që shteti hebre të shtyjë planet për aneksimin e tokave të pushtuara ilegalisht në Bregun Perëndimor që kërkohen nga palestinezët për shtetin e tyre të ardhshëm.
Grupet palestineze kanë denoncuar marrëveshjen e normalizimit, duke thënë se kjo nuk i shërben aspak çështjes palestineze dhe injoron të drejtat e palestinezëve.