Burak Bir
08 Shkurt 2021•Përditësim: 09 Shkurt 2021
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një video-lidhje kanë diskutuar lidhjet dypalëshe dhe rajonale, si dhe ato midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu Agency (AA).
Drejtoria e Komunikimit e Turqisë njoftoi se dy liderët po ashtu diskutuan çështje që do të përmirësojnë bashkëpunimin midis dy vendeve.
Në bisedën përmes video-lidhjes, Erdoğan theksoi vendosmërinë e vendit të tij për zhvillimin e marrëdhënieve me BE-në. Ai shtoi se dëshiron të intensifikojë kontaktet dhe të ketë bisedime teknike me bllokun në periudhën para samitit të BE-së, që është planifikuar të mbahet në muajin mars.
Duke theksuar se nga qasja e drejtë dhe konstruktive e BE-së ndaj Turqisë do të përfitojnë të dy palët, Erdoğan përsëriti thirrjen e tij për azhurnimin e marrëveshjes së refugjatëve të vitit 2016.
Marrëveshja e muajit mars të vitit 2016 kishte për qëllim të dekurajojë migrimin e parregullt përmes Detit Egje, duke marrë masa më të rrepta kundër trafikantëve të qenieve njerëzore dhe për të përmirësuar kushtet e pothuajse 4 milionë refugjatëve sirianë në Turqi.
Marrëveshja po ashtu lejoi përshpejtimin e përpjekjes së anëtarësimit të Turqisë në BE dhe udhëtimin pa viza për shtetasit turq brenda zonës Shengen.