Ali Cura
12 shkurt 2020•Përditësim: 13 shkurt 2020
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe ai rus, Vladimir Putin, në një bisedë telefonike kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit në Idlib të Sirisë, një rajon i përcaktuar si zonë de-eskaluese në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Biseda telefonike midis dy presidentëve vjen pasi të hënën pesë trupa turke u martirizuan dhe pesë të tjerë u plagosën në një sulm nga forcat e regjimit sirian në Idlib. Një sulm i ngjashëm i regjimit sirian ndaj trupave turke ishte kryer edhe javën e kaluar, kur shtatë ushtarë turk u martirizuan dhe një kontraktues civil që punonte me ushtrinë turke.
Turqia u hakmor për dy sulmet, duke goditur një sërë objektivash dhe duke vrarë rreth 200 trupa të regjimit të Bashar al-Assadit.
“Ne e vlerësuam situatën në Idlib me Putin-in. Folëm për dëmin e bërë ndaj ushtarëve tanë nga forcat e regjimit dhe madje edhe nga Rusia”, u tha Erdoğan gazetarëve pas mbledhjes së grupit parlamentar të partisë së tij.
Të dy presidentët u pajtuan të zhvillojnë konsultime shtesë përmes kanaleve të duhura, tha Kremlini në një deklaratë të publikuar në faqen e saj zyrtare.
“Të dy udhëheqësit vazhduan diskutimet për aspektet e ndryshme të zgjidhjes së krizës siriane, kryesisht në kontekstin e situatës së përkeqësuar në zonën e de-eskalimit në Idlib. U theksua rëndësia e zbatimit të plotë të marrëveshjes ekzistuese ruso-turke, përfshirë memorandumi i Soçit i 17 shtatorit të vitit 2018. Për këtë qëllim, u ra dakord të kryhen kontakte shtesë përmes departmenteve përkatëse”, thuhet në deklaratën e Kremlinit.
Trupat turke ndodhen në Idlibin, formalisht një zonë armëpushimi nën një marrëveshje të arritur midis Turqisë dhe Rusisë, si pjesë e një misioni kundërterrorist dhe të paqes.
Idlibi ka qenë një bastion i opozitës dhe grupeve të armatosura kundërqeveritare që nga shpërthimi i luftës civile siriane në vitin 2011.
Në shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia u pajtuan ta kthejnë Idlibin në një zonë deeskalimi në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara.
Por, që nga ajo kohë, mbi 1.800 civilë janë vrarë në sulmet nga regjimi dhe forcat ruse, duke shkelur të dy marrëveshjet për armëpushim, atë të vitit 2018 dhe atë të 12 janarit të këtij viti.