Cem Genco
22 Dhjetor 2016•Përditësim: 22 Dhjetor 2016
HATAY (AA) – Të plagosurit të cilët janë trajtuar në spitalin nëntokësor të ndërtuar në Halepin lindor për të mbrojtur pacientët nga sulmet e ashpra ajrore të regjimit të presidentit Bashar al-Asad dhe aleatëve të tij, përfundimisht janë evakuuar në vend të sigurt, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga shkaku i sulmeve në Halep të cilat u intensifikuan në muajt e kaluar, personeli mjekësor e kishte shumë të vështirë të punojë për të ndihmuar të plagosurit, numri i të cilëve për çdo ditë rritej.
Në organizim të platformës “Ne jemi ummeti” dhe fondacionit “Evroazia” në Halep ishte ndërtuar një spital nëntokësor.
Përfaqësuesi i platformës, Abdulhamit Altintas tha për AA se në muajt e kaluar, nga shkaku i sulmeve intensive ishin detyruar të ndërtojnë një spital nëntokësor me 25 shtretër.
Sipas tij, në spital janë trajtuar të plagosurit, por edhe të sëmurit e Halepit, për të shtuar se objekti ishte ndërtuar dy kat nën sipërfaqe të tokës dhe si i tillë ka funksionuar për një kohë të gjatë.
Ai konfirmoi se 25 nga të plagosurit dhe të sëmurët e spitalit u evakuuan në vend të sigurt. "Ata që janë në gjendje të rëndë shëndetësore janë transportuar në Turqi dhe pjesa tjetër në një zonë e sigurt të Idlibit”, shpjegoi Altintas.