Ömer Tuğrul Çam
28 Shkurt 2023•Përditësim: 01 Mars 2023
Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, tha se shpreson që procesi i anëtarësimit të vendit të saj në NATO të përfundojë para Samitit të NATO-s që do të mbahet më 11-12 korrik, raporton Anadolu.
Marin dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve para takimit të tyre në kryeqytetin e Finlandës, Helsinki.
Rreth pyetjes për pritjen e saj se kur mund të ndodhë anëtarësim i Finlandës në NATO, Marin tha se me Suedinë, që aplikuan së bashku për anëtarësim, i plotësojnë të gjitha kriteret dhe presin të anëtarësohen.
"Tani shpresonim të jemi anëtarë por ende presim", tha Marin, duke shtuar se bëhet fjalë gjithashtu për politikën e dyerve të hapur të NATO-s dhe besueshmërinë e aleancës.
"Situata e anëtarësimit tani varet prej Türkiyes dhe Hungarisë. Presim që edhe proceset e këtyre vendeve të përfundojnë pa u bërë vonë. Shpresojmë të ndodhë para samitit që do të mbahet verës në Vilnius", u shpreh ajo.
"Nuk e di nëse Hungaria ka ndonjë nevojë të veçantë. Që nga fillimi thanë se nuk ka problem dhe se do të miratojnë anëtarësimin e Finlandës ose Suedisë. Kanë proceset dhe kalendarët e tyre. Ne e presim këtë. Kam biseduar shumë herë me kryeministrin e Hungarisë, Victor Orban. Në bisedën tonë të fundit tha se kanë një afat, do ta miratojnë. As edhe njëherë nuk bënë fjalë për ndonjë kusht lidhur me aplikimin tonë për anëtarësim. Përkundrazi, thanë se do ta miratojnë, por do të duhej pak kohë", theksoi Marin.
Stoltenberg: Nuk mund të jap një datë të saktë
Stoltenberg, nga ana e tij, lidhur me pyetjen se kur mund të ndodhin anëtarësimet, tha se vendimi është veçmas i kuvendeve të 30 aleatëve të NATO-s, duke rikujtuar se presin miratimin e Türkiyes dhe Hungarisë.
Sipas tij, Suedia dhe Finlanda se plotësuan kërkesat e memorandumit të trefishtë të nënshkruar me Türkiyen dhe tashmë ka ardhur koha që të miratohen anëtarësimet e tyre, për të cilën javën e kaluar e ka njoftuar presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan gjatë vizitës së tij.
Në këtë drejtim ai rikujtoi se të tre vendet më 9 mars do të takohen në Bruksel.
Ai theksoi se anëtarësimi do të jetë mirë edhe për Suedinë dhe Finlandën, por edhe për NATO-n. "Nuk mund të jap një datë të saktë, por po punojmë shumë për ta mundësuar këtë", tha Stoltenberg.