Esat Fırat
23 Shtator 2019•Përditësim: 23 Shtator 2019
Ushtarët izraelitë kanë arrestuar 29 palestinezë në Bregun Perëndimor nën okupim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga ushtria e Izraelit thuhet se në bastisjet e kryera natën në rajone të ndryshme të Bregut Perëndimor janë arrestuar 29 palestinezë me pretendimin se "janë përfshirë në akte terroriste".
Më tej thuhet se palestinezët në fjalë janë dërguar në qendrat e paraburgimit në rajon.
Forcat izraelite kryejnë rregullisht bastisje në shtëpitë e Bregut Perëndimor dhe Kudsit Lindor nën okupim dhe arrestojnë palestinezët me pretendime të ndryshme.
Pas arrestimeve, të cilat janë bërë të zakonshme, disa nga palestinezët, përfshirë gra dhe fëmijë, mbahen me ditë të tëra nëpër qendra burgimi.
Përmes "burgimit administrativ", Izraeli privon palestinezët nga liria nga një deri në gjashtë muaj, duke u bazuar në informacione të shërbimit informativ. Ky lloj burgimi mund të zgjatet madje deri në 5 vite me vendim të gjykatësit ushtarak pa ngritur aktakuzë, në rast se merret vendim që personi i burgosur "përbën kërcënim për sigurinë e Izraelit".
Sipas të dhënave të burimeve zyrtare palestineze, në burgjet e Izraelit ndodhen mbi 5.000 palestinezë, përfshirë 220 fëmijë dhe 500 të mbajtur nën masën e ashtuquajtur "burgim administrativ".