Anees Suheil Barghouti
17 Janar 2018•Përditësim: 18 Janar 2018
RAMALLAH (AA) – Forcat izraelite kanë arrestuar 21 palestinezë mbrëmë gjatë bastisjeve në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, bëri të ditur sot një OJQ lokale palestineze, raporton Anadolu Agency (AA).
Tetë persona u arrestuan gjatë bastisjeve në shtëpitë e tyre në qytetin e Betlehemit të territorit të okupuar, njoftoi Shoqata e të Burgosurve Palestinezë.
Forcat izraelite gjithashtu arrestuan tetë palestinezë në qytetet e Ramallahut, Hebronit, Nablusit dhe Jenin, tha OJQ-ja, duke shtuar se pesë të mitur u arrestuan gjatë bastisjeve në shtëpitë e tyre në Kudsin Lindor.
Nga ana tjetër ushtria izraelite tha se forcat e saj kanë arrestuar 13 palestinezë gjatë bastisjeve në Bregun Perëndimor për "përfshirjen e dyshuar në veprimtari terroriste".
Ushtria izraelite shpesh kryen bastisje në Bregun e okupuar Perëndimor dhe Kudsin Lindor me pretendimin për arrestimin e palestinezëve "të kërkuar" nga autoritetet okupatore izraelite.
Sipas shifrave palestineze, mbi 6.400 palestinezë mbahen në burgjet izraelite nga të cilët 300 janë fëmijë.