Islam Uddin
08 Tetor 2021•Përditësim: 08 Tetor 2021
Ambasadori i Francës në Australi, Jean-Pierre Thebault ka kritikuar Kanberran për vendimin e muajit të kaluar lidhur me hedhjen poshtë të programit të saj të Ardhshëm të Nëndetëseve me vendin e tij dhe e cilësoi atë një akt "fëmijëror", njoftuan mediat lokale sot, transmeton Anadolu Agency (AA).
Thebault do të kthehet në Kanberra pasi u thirr për konsultim muajin e kaluar pasi Australia, SHBA-ja dhe Britania e Madhe njoftuan një aleancë të re të sigurisë Indo-Paqësore që përjashton Parisin.
"Më duhet të rishikoj gjithçka sepse kur po flisnim për rëndësinë e diçkaje dhe më pas pamë se ato fjalë ishin boshe, atëherë çfarë ishte e vërtetë? Çfarë është akoma e vërtetë?", tha Thebault për ABC News.
Ai shtoi se do të kthehet me udhëzime të qarta nga qeveria e tij për të rivlerësuar raportet e saj me Kanberra-n, por nuk ndau më shumë detaje rreth strategjisë së ardhshme të vendit të tij.
Në mes të shtatorit, SHBA-ja, Britania dhe Australia bënë një njoftim të papritur të lançimit të AUKUS nën të cilin Australia do të marrë teknologji nga Washingtoni dhe Londra për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore.
Si pasojë, kjo rrëzoi marrëveshjen në fushën e mbrojtjes me Francën me vlerë 90 miliardë dollarësh me Australinë, duke shkaktuar një krizë diplomatike midis Parisit, Kanberras dhe Washingtonit.
Sipas ABC News, kryeministri australian Scott Morrison ishte përpjekur të fliste me presidentin francez, Emmanuel Macron pas eskalimit të tensioneve diplomatike, por Macron nuk i ktheu thirrjet e Morrisonit.
Vendet e rajonit gjithashtu kanë shprehur shqetësim mbi transferimin e teknologjisë bërthamore dhe një garë të mundshme armatimi, por Kanberra ka theksuar se nuk ka dëshirë për të blerë armë bërthamore ose aftësi bërthamore civile.
Pakti i ri i mbrojtjes shihet gjithashtu si një grupim tjetër për të kundërshtuar zgjerimin e ndikimit ekonomik dhe ushtarak të Kinës në rajonin më të gjerë të Azisë-Paqësorit, me Detin e Kinës Jugore në fokus.
Përveç AUKUS, SHBA-ja po udhëheq Quad - një aleancë e sigurisë me Australinë, Japoninë dhe Indinë.
Kina dhe Koreja e Veriut e kanë kundërshtuar AUKUS-in duke e quajtur atë "një prishës të paqes" ndërsa Indonezia ka shprehur frikën se kjo mund të nxisë një garë armatimi në rajon.