İlayda Çakırtekin
26 Maj 2026•Përditësim: 26 Maj 2026
Franca raportoi sot shtatë vdekje të lidhura me nxehtësinë ndërsa Evropa Perëndimore po përvëlohet nga temperaturat e larta, transmeton Anadolu.
"Fatkeqësisht, ajo që mund të them sot është se kemi shtatë vdekje të lidhura direkt ose indirekt me nxehtësinë", tha zëdhënësja e qeverisë, Maud Bregeon për transmetuesin TF1.
Ajo theksoi se pesë nga vdekjet e raportuara janë raste mbytjeje në ujë, pasi njerëzit janë nxitur për t'u freskuar në ujëra, lumenj e liqene, ndërsa ka patur edhe vdekje të lidhura me nxehtësinë ekstreme gjatë garave sportive.
Transmetuesi francez BFM TV raportoi një vdekje të tetë që përfshinte një person në një hapësirë ujore në Bas-Rhin, por deri më tani ky rast nuk është përfshirë në numrin zyrtar të vdekjeve.
Meteo-France lëshoi alarme portokalli për valë të nxehtësisë për disa departamente që nga e hëna vonë dhe vuri në dukje se temperaturat e pasdites së sotme do të variojnë kryesisht midis 33-36 gradë Celsius. "Temperatura të jashtëzakonshme për fundin e majit", shtoi shërbimi meteorologjik.
Ndërkohë, vala e nxehtësisë në fillim të sezonit pritet të shoqërohet nga një episod i ndotjes së ozonit në rajonin e Parisit dhe Luginën e Ronës, shtoi BFM TV, duke cituar organin francez të monitorimit atmosferik LCSQA.
Përqendrimet e ozonit atmosferik parashikohet të kalojnë një nivel që mund të shkaktojë shqetësime respiratore ose kardiovaskulare tek njerëzit. Franca nuk është vendi i vetëm i prekur, pasi disa vende të tjera të Evropës Perëndimore kanë përjetuar gjithashtu një valë të nxehti që nga fundjava.
Mbretëria e Bashkuar gjithashtu regjistroi të hënën temperaturën e saj më të lartë për muajin maj si dhe temperaturën e saj minimale ditore më të lartë për muajin gjatë natës, sipas Zyrës Meteorologjike.
Ndërkohë, shërbimi meteorologjik i Spanjës AEMET lëshoi alarme të verdha për disa rajone pasi temperaturat pritet të luhaten rreth 34–38 gradë Celsius. Në Portugali, temperaturat parashikohet gjithashtu të rriten në gati 40 gradë Celsius, sipas të dhënave nga shërbimi meteorologjik IPMA.