Esra Taşkın
19 Mars 2023•Përditësim: 20 Mars 2023
Ka arritur në mbi 500 numri i personave të arrestuar në protestat e mbajtura në Francë, kundër reformës e cila synon të rrisë në 64 vjeç moshën e pensionit, raporton Anadolu.
Në qytete të ndryshme të vendit po mbahen protesta që nga 16 marsi kur qeveria ka ndërmarrë hap për të vendosur në zbatim pa e votuar në Parlament reformën e pensioneve e cila është premtim zgjedhor i presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Në protesta janë shënuar momente tensioni mes policisë dhe protestuesve të cilët kërkojnë që qeveria të heqë dorë nga reforma. Sipas mediave lokale ka shkuar mbi 500 numri i personave që janë arrestuar deri më tani që nga dita e enjte.
Përderisa 282 prej protestuesve janë liruar, 9 prej tyre janë dërguar në prokurori. Ndalesa për të zhvilluar protestë në sheshin pranë Parlamentit në Paris ka vazhduar edhe sot.
Bëhet e ditur se janë thyer xhamat e byrosë në qytetin Nice të Eric Ciotti, kreut dhe deputetit të Partisë Republikane (LR) të qendrës së djathtë.
Ciotti kishte deklaruar se grupi i tij politik nuk do të votonte për mocionet e mosbesimit ndaj qeverisë.
Protestuesit kundër reformës, filluan të protestojnë pasi kryeministrja, Elisabeth Borne u përpoq më 16 mars ta vendosë rregulloren në zbatim pa e paraqitur për votim në Parlament duke përdorur paragrafin 3 të nenit 49 të Kushtetutës.