Handan Kazancı
27 Prill 2022•Përditësim: 27 Prill 2022
Konferenca e përkatërvjetshme që mbledh së bashku përfaqësues të rrjeteve humanitare nga 53 vende ka nisur me rend dite krizën e Ukrainës, njoftoi Gjysmëhëna e Kuqe Turke, transmeton Anadolu Agency (AA).
Konferenca e 11-të Rajonale Evropiane me pjesëmarrjen e shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe të Evropës dhe Azisë Qendrore po mbahet me moton “Së bashku më të fortë” në kryeqytetin e Gjeorgjisë Tbilisi, tha agjencia në një deklaratë.
Dyzet e gjashtë shoqëri po marrin pjesë fizikisht në këtë ngjarje, ndërsa shtatë shoqëri virtualisht.
Nënkryetari i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), Dr. Kerem Kinik, kryeson konferencën.
“Kriza humanitare që ndodh në shkallë rajonale dhe globale dhe rishikimi se si Shoqatat Kombëtare po përballen me nevojat në rritje humanitare, si dhe analiza e thellë e mënyrave dhe metodave të dhënies së përgjigjes është tema e takimit”, shtohet në deklaratë.
Gjetjet dhe planet do të barten në takimet statutore të Lëvizjes së Gjysmëhënës së Kuqe dhe Kryqit të Kuq në qershor në Gjenevë të Zvicrës, thuhet më tej.
Efektet e krizës ukrainase në vendet fqinje, veçanërisht mbi migrimin dhe zhvendosjen, si dhe konflikti i vazhdueshëm po diskutohen si agjendë e veçantë e ngjarjes, thuhet në deklaratë.
Duke folur në hapje të aktivitetit, Kinik, i cili është edhe kreu i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, vuri theksin mbi situatën humanitare në Ukrainë.
Duke vënë në dukje se më shumë se 10 milionë njerëz tashmë janë zhvendosur dhe më shumë se 5 milionë të tjerë kanë ikur në vendet fqinje, Kinik tha: “Një në tetë persona tani janë të zhvendosur. Konflikti ka lënë familje të copëtuara; i detyroi ata të braktisnin shtëpitë e tyre me trena dhe ndikoi në mirëqenien e tyre të përgjithshme”.
Duke përmendur një situatë të ngjashme në Siri, Kinik tha se 500 mijë njerëz humbën jetën dhe miliona u strehuan në vendet fqinje për shkak të luftës civile atje, duke e bërë zhvendosjen temë kryesore në rajon.