Cüneyt Karadağ
02 Dhjetor 2024•Përditësim: 02 Dhjetor 2024
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock kritikoi qeverinë e Kinës përpara vizitës që ajo do të zhvillojë në këtë vend, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë para vizitës së saj, Baerbock reagoi ndaj mbështetjes së Kinës për Rusinë në luftën e Ukrainës. "Në vend që të marrë përgjegjësinë për paqen dhe sigurinë në botë si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina po bie ndesh me interesat tona themelore në Evropë me ndihmën ekonomike dhe të armëve që bën për Rusinë", tha Baerbock.
Duke mbrojtur idenë se lufta e presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës është kërcënim për paqen, Baerbock tha se "Fakti që ne nuk mund ta injorojmë këtë në marrëdhëniet tona me Kinën është një çështje tjetër që do të trajtoj në Pekin".
Ajo theksoi se si evropianë, mbështesin Komisionin Evropian, i cili ka autoritet të fortë për të gjetur zgjidhje për konkurrencë të ndershme dhe kushte të barabarta me Kinën. "Për këtë arsye, ne nuk do të tolerojmë të tjerët që shkelin rregullat e lojës ndërkombëtare në dëm të industrisë gjermane dhe evropiane, me rrugën e mbiprodhimit të subvencionuar nga shteti ose kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut", tha kryediplomatja gjermane.
Baerbock tërhoqi vëmendjen për konkurrencën ekonomike midis BE-së dhe Kinës.
"Nuk do të tolerojmë të shpërfillen standardet bazë të punës të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) me qëllim për të siguruar avantazh konkurrues", potencoi ajo.