Ekip
16 Nëntor 2022•Përditësim: 16 Nëntor 2022
Gjermania ka ofruar dërgimin e avionëve luftarakë me qëllim të përforcimit të patrullimeve ajrore mbi Poloni pas shpërthimit të raketës që la të vdekur dy persona, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes Christian Thiels, raporton Anadolu Agency (AA).
“Kjo mund të ndodhë nesër nëse dëshiron Polonia”, tha Thiels në një konferencë shtypi në Berlin.
Ai tha se kjo masë do të kishte për qëllim forcimin e policisë ajrore me avionët Eurofighter të Forcave Ajrore Gjermane.
"Avionët nuk kanë nevojë të zhvendosen në Poloni për këtë. Patrullimet mund të bëhen nga bazat e forcave ajrore gjermane", tha Thiels, duke shtuar se Forcat Ajrore Gjermane një gjë të tillë e kishin bërë në korrik.
Ai shtoi se ministrja e Mbrojtjes Christine Lambrecht do të diskutojë këtë çështje me homologun e saj polak më vonë gjatë ditës.
Sipas tij, nuk dihet se sa avionë gjermanë Eurofighters do të përfshihen në patrullimin ajror mbi Poloni, sepse për këtë duhet të diskutohet me Poloninë.
Të martën, në një sulm me raketë në Poloni mbetën të vrarë dy persona në një fermë pranë kufirit me Ukrainën, ndërsa presidenti polak Andrzej Duda theksoi se nuk kishte shenja të një sulmi të qëllimshëm.