Derya Gülnaz Özcan
22 Qershor 2022•Përditësim: 23 Qershor 2022
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, në një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, theksoi se mbështet procesin e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian (BE) transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate nga kryeministria greke, Mitsotakis në bisedën me Zelenskyy-n, ka shprehur kënaqësinë për propozimin e Komisionit të BE-së për dhënien e statusit zyrtar "vend kandidat" për Ukrainën.
Mitsotakis në bisedë i ka përcjellë edhe një herë presidentit Zelenskyy mbështetjen e Greqisë ndaj Ukrainës.
Me një vendim që shpalli në shkurt, Greqia i dërgoi Ukrainës edhe pajisje ushtarake edhe ndihma humanitare.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, u takuan në Samitin e Liderëve të BE-së që u mbajt me 31 maj në Bruksel. Paas takimit, Scholz njoftoi se Greqia do t'i dërgonte Ukrainës mjetet e blinduara BMP-1 që posedonte.
Vendimi i Greqisë për të dërguar në Ukrainë mjetet BMP-1, me kushtin që në këmbim të blinte nga Gjermania mjete të blinduara të llojit "Marder", shkaktoi reagimin e opozitës në vend.