Betül Yürük
19 Dhjetor 2018•Përditësim: 19 Dhjetor 2018
NEW YORK (AA) - Përfaqësuesja e përhershëme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kombet e Bashkuara (OKB) Nikki Haley, tha se plani i administratës së Donald Trump për Lindjen e Mesme nuk do të përbëhet vetëm nga disa faqe, duke potencuar se bëhet fjalë për një dokument shumë të detajuar, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ajo gjithashtu merr parasysh faktin që Lindja e Mesme ka ndryshuar ndjeshëm. Ajo ka parasysh edhe faktin se sot është e mundur të bëhen gjëra të cilat dikur ndoshta as nuk kanë mundur të imagjinohen", tha Haley, në fjalimin e saj të fundit përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku në fund të vitit do të largohet nga detyra.
Në seancë ku diskutohej çështja izraelito-palestineze, ajo kritikoi OKB-në se ndaj izraelit sillet me paragjykime.
"Një sjellje e tillë me paragjykime ka çuar në rrugë qorre, në vend se në drejtim të paqes", tha Haley.
Ajo theksoi se të dy palët do të përfitonin shumë nga marrëveshja e paqes, duke shtuar se palestinezët do të kishin përfitime më të mëdha, ndërsa izraelitët do të kishin marrë një rrezik më të lartë.
Haley tha se Izraeli dhe palestinezët në fund do të marrin vendim përfundimtar mbi planin e paqes në Lindjen e Mesme.
Nikolai Mlladenov, koordinatori i posaçëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, paralajmëroi për rritjen e sulmeve terroriste, konfliktin dhe dhunën në Bregun Perëndimor.
Ai shtoi se kohët e fundit ka pasur një numër gjithnjë e më të madh sulmesh, të cilat kërcënojnë seriozisht jetën e civilëve në Izrael dhe Palestinë.