Riyaz Khaliq Khaliq
23 dhjetor 2021•Përditësim: 24 dhjetor 2021
Monumenti 8 metra i gjatë, i njohur si "Shtylla e Turpit", i instaluar në kujtim të viktimave të masakrës në sheshin Tiananmen të vitit 1989 në Hong Kong, u hoq gjatë një operacioni gjatë natës nga autoritetet lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Statuja që paraqet fytyrat e viktimave dhe e bërë nga skulptori danez Jens Galschiot qëndronte brenda Universitetit të Hong Kongut (HKU) që nga viti 1997.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Këshilli i HKU të enjten, vendimi për heqjen e strukturës nga kampusi është marrë të mërkurën.
Autoritetet filluan përgatitjet për të hequr statujën rreth orës 23:00 sipas kohës lokale të mërkurën ndërsa me anë të një vinçi të madh më në fund struktura u hoq rreth orës 04:00 të mëngjesit sipas kohës lokale.
Rreth vendndodhjes së statujës u ngritën barriera dhe të gjitha pamjet u ndaluan për të parandaluar çdo fotografim ose filmim të zhvendosjes së statujës.
Këshilli i HKU-së pretendoi se askush nuk kishte marrë "ndonjë miratim nga universiteti për të ekspozuar statujën në kampus ndërsa universiteti ka të drejtë të ndërmarrë veprimet e duhura për ta trajtuar këtë në çdo kohë".
Protestat e vitit 1989 të udhëhequra nga studentët filluan më 15 prill dhe u shtypën me forcë më 4 qershor kur qeveria kineze dërgoi ushtrinë për të marrë kontrollin e sheshit Tiananmen. Rreth 300 persona u vranë dhe 7.000 u plagosën, përfshirë edhe disa ushtarë.
“Universiteti është shumë i shqetësuar për çështjet e mundshme të sigurisë që rezultojnë nga statuja delikate. Këshillat e fundit ligjore që ju dhanë universitetit paralajmëruan se shfaqja e vazhdueshme e statujës do të përbënte rreziqe ligjore për universitetin bazuar në Urdhëresën e Krimeve të miratuara nën qeverinë koloniale të Hong Kongut", thuhet në deklaratë.
Skulptori danez Galschiot mori pronësinë e statujës. Ai tha se statuja “thjesht ka qenë e huazuar” gjatë gjithë këtyre viteve për Aleancën e Hong Kongut në Mbështetje të Lëvizjeve Demokratike Patriotike të Kinës, tashmë të shuar.
Aleanca u shpërbë kohët e fundit.
Në një deklaratë për televizionin zyrtar RTHK News të Hong Kongut, ai pretendon se HKU "injoroi në mënyrë të përsëritur përpjekjet e tij për t'i kontaktuar ata në përpjekje për të gjetur se si ta zhvendoste skulpturën diku tjetër".
“Është pronë ime private dhe skulptura më takon mua personalisht. Kështu që më duhet të kërkoj që Hong Kongu të kujdeset për skulpturën. Dhe unë do të kërkoj dëmshpërblim për çdo dëmtim të skulpturës”, tha ai.
I trembur nga agjitacioni masiv antiqeveritar në vitin 2019 që rezultoi në dhunë masive, Pekini vendosi ligjin e diskutueshëm të sigurisë kombëtare në Hong Kong vitin e kaluar.
Përveç kësaj, Pekini ndaloi banorët në Hong Kong për vitin e dytë radhazi të mbajnë çfarëdo lloj kujtimi të ngjarjeve të vitit 1989.
Megjithatë, mijëra njerëz e kundërshtuan urdhrin në vitin 2020 dhe dolën në "Victoria Park", duke çuar në rritjen e masave të sigurisë nga autoritetet këtë vit.
Këtë vit, ajo mbylli gjithashtu Muzeun e 4 Qershorit të ndërtuar në kujtim të viktimave të Tiananmenit.