İdris Sülün
21 dhjetor 2021•Përditësim: 21 dhjetor 2021
India ka vendosur në rajonin Punjab sistemin e parë raketor të mbrojtjes ajrore S-400 të prodhuar nga Rusia, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të "Hindustan Times", bateritë e para të sistemeve S-400 u instaluan në kuadër të bashkëpunimit të mbrojtjes ajrore mes Rusisë dhe Indisë.
Në një deklaratë nga Forcat Ajrore të Indisë thuhet se bateritë S-400 janë vendosur në rajonin Punjab të Indisë dhe se raketat prodhim rus do të rrisin kapacitetin e mbrojtjes ajrore të vendit.
Sistemi S-400 i mbrojtjes ajrore i instaluar në Punjab thuhet se ka kapacitetin për të goditur me 4 raketa të ndryshme avionët luftarakë, raketat balistike dhe avionët AWACS në distancën 250-400 kilometra, në distancën e mesme në 120 kilometra dhe në distancë të shkurtër në 40 kilometra.
Një zyrtar emri i të cilit nuk u bë i ditur ka thënë se sistemet e para që janë vendosur, kanë kapacitetin për të përballuar kërcënimet ajrore që mund të vijnë edhe nga Kina dhe nga Pakistani.
Sekretari i Jashtëm, Harsh Vardhan Shringla në fillim të këtij muaji njoftoi fillimin e dorëzimit të sistemeve raketore të mbrojtjes ajrore ruse.
Marrëveshja për blerjen e sistemeve raketore mes dy vendeve u nënshkrua në vitin 2015 ndërsa në vitin 2018 përfundoi marrëveshja me vlerë 4.5 miliardë dollarë.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov tha se javët e kaluara SHBA-ja ishte përpjekur të pengojë bashkëpunimin mes Rusisë dhe Indisë në fushën e sistemeve raketore të mbrojtjes ajrore S-400.