Ekip
08 shkurt 2019•Përditësim: 08 shkurt 2019
DHAKA (AA) - India i ka garantuar Bangladeshit për mbështetjen e saj për riatdhesimin e hershëm të refugjatëve Rohingya që u larguan nga goditja e ushtrisë së Mianmarit dhe tani jetojnë në kampe në Cox’s Bazar të Bangladeshit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një njoftimi për shtyp të publikuar nga Komisioni i Lartë i Bangladeshit në New Delhi, kryeministri indian, Narendra Modi dhe ish-kryeministri Manmohan Singh, dhanë garanci kur takuan ministrin e Punëve të Jashtme të Bangladeshit, Ak Abdul Momen.
Ministri Momen takoi kryeministrin Modi dhe kërkoi mbështetjen e Indisë për riatdhesimin e hershëm të refugjatëve Rohingya në vendlindjen e tyre në shtetin Rakhine të Mianmarit. Modi përsëriti se India gjithmonë është me Bangladeshin dhe e garantoi atë për bashkëpunimin e Indisë në këtë çështje.
Refugjatët Rohingya, si dhe organet e të drejtave kanë kërkuar garanci të sigurisë dhe të drejtat e shtetësisë para riatdhesimit.
Ish-kryeministri Singh po ashtu vuri në dukje se riatdhesimi i hershëm i refugjatëve Rohingya është një prioritet dhe garantoi se ata do të mbështesin qeverinë në çdo iniciativë drejt këtij objektivi.
Së fundmi, tensionet janë rritur midis dy vendeve, pasi që nga fillimi i vitit të paktën 1.300 muslimanë Rohingya thuhet se kanë kaluar në Bangladesh nga India, nga frika e deportimit të tyre me forcë në Mianmar. Sipas raportimeve në media, gjatë vitit rreth 40 mijë Rohingya besohet se kanë marrë strehim në Indi.
Në muajin janar, Bangladeshi po ashtu prishi një përpjekje të 31 muslimanëve Rohingya për të hyrë në vend pasi për katër ditë mbetën të bllokuar në tokën e askujt midis kufijve të të dy vendeve
- Persekutimi i popullit Rohingya
Populli Rohingya, i përshkruar nga Kombet e Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.
Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.
Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.
Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.
Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017.
OKB ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.