Firdevs Bulut Kartal
16 qershor 2026•Përditësim: 17 qershor 2026
Bizneset po ndajnë buxhete për teknologjitë e inteligjencës artificiale dhe po u ofrojnë punonjësve qasje në këto mjete, ndërsa kufizimet e përdorimit dhe përhapja e inteligjencës artificiale gjeneruese në botën e biznesit po krijojnë një burim të ri pabarazie, transmeton Anadolu.
Tendenca tashmë është zhvendosur nga pyetja nëse një kompani përdor inteligjencën artificiale, tek sa para dhe kohë investon në këtë teknologji.
Sipas Ramp AI Index, një platformë amerikane për monitorimin e shpenzimeve të korporatave, hendeku në përdorimin e inteligjencës artificiale ndërmjet kompanive është bërë më i theksuar.
Kompanitë që bëjnë pjesë në 1 përqindëshin më të lartë për sa i përket shpenzimeve për inteligjencë artificiale shpenzojnë rreth 7.450 dollarë në muaj për punonjës, ndërsa kompanitë në 10 përqindëshin më të lartë shpenzojnë 611 dollarë. Ndërkohë, kompania mesatare shpenzon vetëm 11.38 dollarë në muaj për punonjës.
Ky trend tregon se qasja në inteligjencën artificiale në botën e biznesit është shndërruar nga një mjet standard në një faktor konkurrues që ndryshon ndjeshëm në varësi të burimeve financiare, strategjisë teknologjike dhe gatishmërisë për të marrë rreziqe.
Disa kompani janë në gjendje t’u ofrojnë punonjësve modele të shumta të inteligjencës artificiale, agjentë për programim, mjete të bazuara në API dhe abonime të nivelit të ndërmarrjeve, ndërsa të tjerat kufizohen në abonime bazë ose detyrohen të kufizojnë përdorimin për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e të dhënave, të drejtat e autorit, ndjeshmërinë e klientëve dhe rreziqet regullatore.
Kompanitë kanë shfaqur gjithashtu rezerva në adoptimin e inteligjencës artificiale, thotë raporti i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i publikuar në nëntor të vitit 2025 mbi inteligjencën artificiale gjeneruese për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Raporti zbuloi se 31 për qind e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përdorin inteligjencë artificiale gjeneruese, ndërsa kompanitë që nuk e përdorin atë deklaruan se teknologjia nuk ishte e përshtatshme për nevojat e tyre, përveç shqetësimeve që lidhen me të drejtat e autorit, çështjet ligjore dhe rregullatore.
Po ashtu vetëm 28,6 për qind e ndërmarrjeve që përdorin inteligjencën artificiale gjeneruese kanë përgatitur udhëzime për përdorimin e saj nga punonjësit, çka tregon se përdorimi i inteligjencës artificiale në kompani shpesh ndodh me iniciativa individuale dhe jo përmes politikave të mirëfillta.
Mungesa e udhëzimeve rrit rrezikun e përdorimit të pakontrolluar, pasi punonjësit që përdorin mjete të inteligjencës artificiale pa miratimin ose orientimin e kompanisë, mund të ekspozojnë të dhëna të korporatës në sisteme të jashtme, të përfshijnë materiale të mbrojtura nga të drejtat e autorit në proceset e punës dhe të përdorin rezultate potencialisht të pasakta në vendimmarrje.
Raporti nga McKinsey në janar të vitit 2025 mbi inteligjencën artificiale në vendin e punës tregoi se punonjësit presin më shumë mbështetje dhe trajnim gjatë tranzicionit drejt inteligjencës artificiale.
Teksa një pjesë e konsiderueshme e kompanive planifikojnë të rrisin investimet në këtë fushë, ekziston nevoja për udhëzime korporative, programe trajnimi dhe mekanizma mbështetës për të siguruar që punonjësit t’i përdorin mjetet e inteligjencës artificiale në mënyrë efikase dhe të sigurt.
Raporti nga McKinsey tregoi gjithashtu se punonjësit shpesh i adoptojnë mjetet e inteligjencës artificiale gjeneruese më shpejt sesa menaxherët e tyre presin, duke nxjerrë në pah nevojën për politika të qarta përdorimi, programe për zhvillimin e aftësive dhe mekanizma për menaxhimin e rreziqeve, pasi vetëm investimi në teknologji nuk është i mjaftueshëm.
Ekspertët thonë se pabarazia që rrjedh nga tranzicioni drejt inteligjencës artificiale mund të shfaqet si ndërmjet kompanive ashtu edhe ndërmjet punonjësve. Punonjësit që kanë qasje në abonime të avancuara dhe trajnime mund të përfitojnë më shumë, ndërsa ata me qasje të kufizuar ose pa udhëzime të qarta mund të mbeten pas.
Kompanitë po bëjnë përpjekje për të zgjeruar përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale për të rritur produktivitetin, por njëkohësisht po vendosin kufizime për të menaxhuar çështjet që lidhen me privatësinë, sigurinë, të drejtat e autorit, saktësinë dhe përgjegjshmërinë.