Ekip
26 Shtator 2021•Përditësim: 27 Shtator 2021
Pesë persona u vranë në një sulm të dyfishtë nga militantët e dyshuar të DEASH-it në provincën lindore të Irakut Diyala, sipas një oficeri të policisë lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një bombë në rrugë shpërtheu në një makinë civile në qytetin Had Akhder, në verilindje të Diyala-s, tha oficeri në kushte anonimiteti.
Ndërsa forcat e sigurisë mbërritën në vendngjarje, personat e armatosur hapën zjarr, duke shkaktuar viktima, shtoi oficeri.
Sipas burimit, një oficer policie ishte mes viktimave, ndërsa katër persona, përfshirë dy punonjës të sigurisë, u plagosën në sulm.
Muajt e fundit, terroristët e DEASH-it kanë përshkallëzuar sulmet e tyre, veçanërisht në zonën midis provincave Kirkuk, Salahuddin dhe Diyala, e njohur si Trekëndëshi i Vdekjes.
Në vitin 2017, Iraku shpalli fitoren ndaj DEASH-it duke rimarrë të gjitha territoret që grupi terrorist kontrollonte që nga vera e vitit 2014, që vlerësohej se përbënin rreth një të tretën e territorit të vendit.
Grupi, megjithatë, ende mban celulat e fshehura në zona të mëdha në Irak dhe herë pas here ndërmerr sulme sporadike.