Zehra Nur Düz
12 tetor 2020•Përditësim: 12 tetor 2020
Irani gjatë 24 orëve të fundit ka raportuar 272 viktima të tjera nga koronavirusi i ri (COVID-19), duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve nga virusi në 28.816, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, Sima Sadat Lari tha se gjatë ditës së fundit janë regjistruar 4.206 raste të reja të koronavirusit, me çka numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me këtë virus ka shkuar në 504.281.
Lari njoftoi se deri më tani 409.121 pacientë paraprakisht të testuar pozitiv ndaj virusit janë shëruar ndërsa 4.533 mbeten në gjendje kritike.
Ajo paralajmëroi se 30 nga 31 provincat e Iranit aktualisht janë zona të kuqe me rrezik të lartë të transmetimit të pandemisë COVID-19.
Irani që nga muaji shkurt po përpiqet të luftojë pandeminë, kur rastet e para u konfirmuan në qytetin Qom.
Kufizime janë imponuar në provincat Teheran, Qom, Qazvin dhe Alborz, pasi vendi javëve të fundit shënoi një rritje të ndjeshme të infeksioneve dhe vdekjeve.
Ministri iranian i Shëndetësisë, Saeed Namaki, më parë paralajmëroi se vendi ishte përfshirë nga një valë e tretë e pandemisë, pasi arriti të tejkalojë dy valët e para.