Ekip
28 shtator 2022•Përditësim: 29 shtator 2022
Faezeh Hashemi, vajza e ish-presidentit iranian Akbar Hashemi Rafsanjani u arrestua mbrëmë pasi dyshohet se "nxiti trazira" pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini teksa ndodhej në paraburgim policor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një raport nga agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Tasnim tha se Faezeh Hashemi u arrestua nga një agjenci sigurie për "nxitje të trazirave në Teheranin lindor", duke shtuar se "provokimet" nuk arritën të nxirrnin njerëzit në rrugë.
Teherani dhe qytetet e tjera të mëdha iraniane janë tronditur nga protesta të ashpra që nga vdekja e Mahsa Aminit, pasi ajo u arrestua nga policia morale e vendit për shkak se "ishte veshur në mënyrë të papërshtatshme".
Ditët e fundit, protestat kanë marrë një kthesë të dhunshme, duke lënë të paktën 41 të vdekur, përfshirë civilë dhe oficerë policie. Qindra njerëz janë arrestuar gjithashtu, përfshirë aktivistë.
Hashemi, një aktiviste e shquar 59-vjeçare për të drejtat e grave, ka një histori përplasjesh me agjencitë e sigurisë të Iranit për aktivitete të supozuara "anti-qeveritare".
Në korrik të këtij viti, ajo u akuzua për "aktivitet propagandistik kundër Republikës Islamike" lidhur me komentet e saj në një intervistë për heqjen e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) nga lista e organizatave të huaja terroriste të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Ajo gjithashtu raportohet të ketë thënë se Profeti Muhamed shpenzoi paratë e "gruas së tij biznesmene" Hatixhes, gjë për të cilën autoritetet gjyqësore thanë se përbënte "blasfemi".
Megjithatë, nuk ishte e qartë nëse ajo u dërgua në paraburgim.
Në shtator të vitit 2012, Hashemi kaloi gjashtë muaj në një burg të Teheranit me akuzën e "aktiviteteve propagandistike" pasi në një intervistë, ajo iu referua gjyqësorit të Iranit si "banditë dhe hajdutë që synojnë njerëzit".
Para kësaj, ajo u arrestua disa herë gjatë trazirave të vitit 2009, të cilat u shkaktuan nga zgjedhja e diskutueshme e presidentit të atëhershëm Mahmoud Ahmadinejad.
Babai i saj shërbeu si president i vendit midis viteve 1989 dhe 1997. Një reformist, ai gjithashtu mbajti shumë poste të tjera të rëndësishme gjatë karrierës së tij të gjatë politike, përpara se të ndërrojë jetë në vitin 2017.