Haydar Şahin
23 Qershor 2022•Përditësim: 23 Qershor 2022
Presidenti iranian, Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov diskutuan për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit midis dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Iranit, IRNA, Raisi u takua me ministrin e Jashtëm rus, Lavrov, i cili ishte në Teheran me një ftesë zyrtare.
Raisi dhe Lavrov shkëmbyen mendime për marrëdhëniet dypalëshe si dhe për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Raisi tha se bisedimet dhe takimet mes Iranit dhe Rusisë treguan vullnetin serioz të dy vendeve për të formuar një periudhë të re bashkëpunimi strategjik.
“Forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit është një strategji efektive kundër sanksioneve ekonomike të SHBA-së dhe unilateralizmit kundër vendeve të pavarura”, tha Raisi.
Duke tërhequr vëmendjen për zhvillimet e fundit në Ukrainë, Raisi theksoi rëndësinë e përfundimit sa më të shpejtë të luftës dhe se Irani është i gatshëm të ndihmojë për një zgjidhje diplomatike.
Ai tha se NATO ndjek një "politikë ekspansioniste" në rajone të ndryshme të botës si Azia Perëndimore, Kaukazi dhe Azia Qendrore dhe se kjo duhet të kundërshtohet. "Nuk ka dyshim se provokimet e SHBA-së dhe NATO-s luajtën rol në formimin e këtyre konflikteve", tha Raisi.
Lavrov vlerësoi edhe dimensione të ndryshme të bashkëpunimit Teheran-Moskë, përfshirë fushën ekonomike. Ai tha se Rusia është e gatshme ta çojë bashkëpunimin e saj me Iranin në një nivel strategjik.
Duke iu referuar anëtarësimit të Iranit në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, Lavrov përsëriti mbështetjen e vendit të tij për Iranin për të zgjeruar rolin e tij në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.