Mohamed Sabry Emam Muhammed
01 Shtator 2019•Përditësim: 03 Shtator 2019
SHBA ka shfaqur "fleksibilitet" për lehtësimin e sanksioneve ndaj eksportit të naftës iraniane, ka thënë zv/ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Araqchi tha se çështja është diskutuar në takimin e fundit mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe homologut të tij amerikan Donald Trump në margjinat e Samitit G7 në qytetin Biarritz të Francës, njofton agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.
"Macron është takuar me Trump gjatë Samitit G7, ku SHBA ka shfaqur fleksibilitet në licencimin e shitjeve të naftës iraniane", tha ai.
"Kjo paraqet një thyerje të politikës së presionit maksimal të SHBA-ve dhe një sukses i politikës së rezistencës maksimale të Iranit", shtoi Araqchi.
Tensionet midis SHBA-ve dhe Iranit u përshkallëzuan pasi vitin e kaluar Washingtoni në mënyrë të njëanshme u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Marrëveshja ishte rezultat i negociatave të zgjatura midis Teheranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, plus Gjermanisë dhe BE-së.
Që atëherë, SHBA kanë filluar një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të detyruar Iranin të rinegociojë marrëveshjen. Si përgjigje, Teherani ka ulur angazhimet e tij në bazë të marrëveshjes bërthamore.