Seda Sevencan
01 Shtator 2020•Përditësim: 01 Shtator 2020
Ushtria e Izraelit të hënën shkrepi raketa në zonat në jug të kryeqytetit të Sirisë, Damask që u përkasin forcave besnike të regjimit të Bashar al-Asadit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Agjencia siriane arabe e lajmeve (SANA) tha se sulmi u drejtua nga Lartësitë e okupuara siriane të Golanit kundër disa pozitave ushtarake, duke shtuar se mbrojtja ajrore e vendit rrëzoi shumicën e raketave përpara se të arrinin objektivat e tyre.
Sulmet ajrore lanë dy ushtarë sirianë të vdekur dhe shtatë të plagosur dhe shkaktuan dëme materiale, tha agjencia.
Izraeli ka pushtuar pjesën më të madhe të Lartësive siriane të Golanit që nga Lufta e Lindjes së Mesme të vitit 1967.
Që nga fillimi i krizës siriane në vitin 2011, Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore kundër caqeve në Siri, përfshirë vendet ushtarake të regjimit të Asadit dhe grupet e mbështetura nga Irani.
Siria është përfshirë në luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Asadit goditi protestat pro-demokracisë me një egërsi të papritur.
Sipas zyrtarëve të OKB-së, që nga ajo kohë qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë të tjerë janë zhvendosur.