Riyaz Khaliq Khaliq
20 Dhjetor 2021•Përditësim: 21 Dhjetor 2021
Japonia sot ka njoftuar një fushatë rekrutimi për astronautët pasi synon të dërgojë një mision në Hënë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Për herë të parë në 13 vjet, Agjencia Hapësinore Japoneze (JAXA) njoftoi rekrutimin për postin që ka të ngjarë të përfundojë deri në vitin 2023.
“Ne po kërkojmë njerëz që mund të kontribuojnë në zhvillimin e kërkimit dhe zhvillimit të hapësirës ajrore nga fusha të ndryshme, duke mos u kufizuar në përvojën e industrisë së hapësirës ajrore”, thuhet në një deklaratë të JAXA-s.
Tetorin e kaluar, ish-ministri i Arsimit dhe Shkencës i Japonisë, Koichi Hagiuda, pati thënë se qëllimi është që të ketë një shtetas japonez në Hënë për herë të parë.
Vendi ka shtatë astronautë si pjesë e Agjencisë Japoneze të Kërkimit të Hapësirës Ajrore (JAEA) dhe tre prej tyre tashmë kanë udhëtuar në hapësirën e jashtme.
Grupi i përzgjedhur i astronautëve mund të jetë pjesë e një projekti eksplorimi hënor të udhëhequr nga SHBA-ja.
"Ne do të kërkojmë aplikime rreth çdo 5 vjet nga tani e tutje për të mbajtur një grup astronautësh (në gatishmëri)", kishte thënë Hagiuda.
Të paktën 963 persona kanë aplikuar për këtë pozicion deri më tani. SHBA-ja synon të dërgojë njerëz në Hënë deri në vitin 2024, nën programin e saj Artemis, për herë të parë që nga misioni i NASA-s "Apollo 17" në vitin 1972.