Ekip
23 Gusht 2017•Përditësim: 24 Gusht 2017
KHARTOUM (AA) – Tre fëmijë sudanezë u bashkuan me familjet e tyre në Sudan, pasi prindërit e tyre të cilët ishin bashkuar me organizatën terroriste DEASH ishin vrarë në Libi, raporton Anadolu Agency (AA).
Avokati Adel Abdul Ghani për AA bëri të ditur se organet sudaneze të sigurisë dhe Kryqi i Kuq kanë luajtur një rol të madh në shpëtimin e fëmijëve dhe në kthimin e tyre në Sudan.
Prindi i njërit nga fëmijët sudanezë të kthyer në shtëpi, Mohamed Abuzaid, u arrestua në vitin 2008 për përfshirje në vrasjen e një diplomati të SHBA-ve. Në vitin 2011, ai u arratis nga burgu dhe udhëtoi për në Somali, ku u bashkua me grupin militant Al-Shabaab. Më vonë, ai u largua nga Somalia në Libi dhe u bashkua me organizatën terroriste DEASH në vendin e trazuar të Afrikës së Veriut.
Deri më tani nuk ka vlerësime zyrtare se sa sudanezë janë bashkuar me DEASH-in, por sipas vlerësimeve jozyrtare numri i tyre është me qindra.
Më shumë fëmijë pritet të kthehen
Obied Mohamed Obied, ndihmës konsullor sudanez në qytetin bregdetar të Libisë, Sirte, tha se fëmijët janë gjetur pas bisedimeve intensive me autoritetet libiane.
Duke folur për gazetarët, ai tha se negociatat ende janë duke u zhvilluar me autoritetet libiane për të dorëzuar gjashtë fëmijë të tjerë, që ende mbahen në objektet e Kryqit të Kuq në Libi.
Qyteti Sirte ishte një bastion i DEASH-it deri në vitin e kaluar kur forcat qeveritare të bashkimit libian, mbështetur nga sulmet ajrore të SHBA-ve larguan organizatën terroriste nga qyteti bregdetar. Autoritetet sudaneze theksuan se kthimi i fëmijëve ishte pjesë e përpjekjeve të Sudanit për të luftuar terrorizmin.
Në muajin qershor, tetë jetimë të DEASH-it u kthyen në Sudan pasi prindërit e tyre ishin vrarë ose arrestuar në Libi.
Sudani që nga viti 1993 është në listën e SHBA-ve si shtet promotor i terrorizmit.