Ayhan Şimşek
11 Mars 2022•Përditësim: 11 Mars 2022
Kancelari gjerman Olaf Scholz do të zhvillojë vizitën e tij të parë zyrtare në Turqi javën e ardhshme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë për media në Berlin, zëvendës zëdhënësi i qeverisë Wolfgang Buchner tha se kancelari do të udhëtojë në Ankara të hënën për bisedime me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, por nuk dha detaje të mëtejshme rreth vizitës.
I pyetur për përpjekjet diplomatike të Turqisë për një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës, Buchner nënvizoi mbështetjen e qeverisë gjermane për këto bisedime.
“Sigurisht, në parim, ne po mbështesim çdo përpjekje diplomatike për t’i dhënë fund luftës së agresionit të Rusisë”, theksoi ai.
Andrea Sasse, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme, u tha gjithashtu gazetarëve se ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka qenë në kontakt të ngushtë me homologët e saj nga Turqia dhe Ukraina në dy ditët e fundit.
Pas përpjekjeve të Turqisë, ministrat e jashtëm rus dhe ukrainas u takuan në Antalya të enjten, për takimin e tyre të parë ballë për ballë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, por bisedimet nuk kanë dhënë ndonjë përparim.
Sipas OKB-së, 549 civilë janë vrarë dhe 957 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës, ndërsa numri real mendohet të jetë më i lartë.
Më shumë se 2.5 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje, sipas të dhënave të fundit nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët.